AmCham Albania dhe Revista Monitor konferencë mbi Sfidën e kapitalit njerëzor

AmCham Albania dhe Revista Monitor konferencë mbi Sfidën e kapitalit njerëzor

Dhoma Amerikane ka prezantuar gjatë konferencës Indeksin e Biznesit 2021, një nga treguesit më të përkeqësuar të së cilës ka qënë gjetja e stafeve të kualifikuara

Në 2021 bizneset anëtare të Dhomës Amerikane kanë vlerësuar si më shqetësuesin indikatorin e gjetjes së forcave të kualifikuara të punës.  Për herë të parë që prej dhjetë vjetësh kur filloi publikimi i Indeksit të Biznesit, shqetësimi kryesor bëhet fenomeni që po afekton jo vetëm sipërmarrësit por edhe ekspertët dhe organizatat e biznesit dhe po trajtohet gjerësisht nga media.

Ky indikator, ka bashkuar në një konferencë të organizuar nga Dhoma Amerikane dhe Revista Monitor, ekspertë, sipëmarrës dhe akademikë dhe përfaqësues të lartë të qeverisë për të folur jo vetëm mbi gjetjet shqetësuese por mbi të gjitha për rrugët e zgjidhjes dhe shpresës për të ardhmen.

“Duhet të punojmë sëbashku për një motivim të vërtet, për të ndërtuar një perspektivë ekonomike në Shqipëri dhe kjo është detyrë e të  gjithëve. Shqipëria ka shansin e integrimit europian dhe këtë duhet ta kthejmë në potencial. Është shumë e rëndësishme të bëhen reforma. Dhoma Amerikane e ka hartuar tashmë Axhendën e Investimeve por duhet të kombinohet me politika shtetërore..- tha Presidenti i AmCham Z. Enio Jaco.

Duke prezantuar Indeksin e Biznesit 2021 Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania z. Neritan Mullaj u shpreh se ‘Ka një përmirësim të indeksit të biznesit në krahasim me vitin 2020,  me 3.77 pikë. Indeksi ka një lloj qëndrueshmërie në nivelin e 40 pikëve nga 100 të mundshme. Bien në sy se për gjatë 10 vjetëve që hartohet ky Indeks nuk e ka kaluar  pragun e 50 pikëve pra nuk është shënuar një ndryshim i konsiderueshëm në përmirësimin e ambjentit të biznesit”

Në fjalën e saj përshëndetëse Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, tha se duhet të ndërthuren ura bashkëpunimi qeveri-biznes për një pasqyrim më të mirë të tregut të punës dhe ngritjen e instrumenteve të duhura. “Sfidat e tregut të punës janë gjithëpërfshirëse. Për t’i adresuar ato, duhet analizuar e gjithë ekonomia, duhen analizuar gjithë pikat e dobëta për ti bërë ballë të ardhmes. Sot gjendemi në një situatë shumë sfiduese”- u shpreh znj. Ibrahimaj.

Endrit Yzeiraj Këshilltar i Revistës Monitor ka hedhur një vështrim mbi zhvillimin ekonomik  dhe momentet më të rëndësishme të rritjes dhe ngadalësimit ekonomik si dhe faktorët ndikues. Rritja e nivelit të kreditimit nga bankat dhe e investimeve të huaja kanë qënë fakorë që kanë ndikuar rritjen ekonomike. Por nga ana tjetër industritë kryesore në vend nuk u sofistikuan aq shumë sa  të kishin ekspansion me produktet e tyre duke mos siguruar kështu  një rritje të qëndrueshme. Nevojitet një model i ri, i orientuar drejt përmirësimeve të teknologjisë, njohurive dhe kapitalit njerëzor.

Biznesi dhe akademikët, bashkë për një zgjidhje mbi fenomenin

Mundësitë e tregut dhe zgjidhjet për sektorin privat dhe publik, ishte tema e sesionit të dytë të konferencës që solli në të njëjtin panel z.Roden Pajaj, Kryetar i Komitetit të Punës dhe Etikës në AmCham, një ekspert i njohur i burimeve njerëzore, z.Aleksandër Risilia drejtues i Ritech International AG, z.Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës si edhe z. Mirgen Hoxha, Administrator i Motomtech një biznes në fushën e IT dhe zhvillimit të softereve.

Paneli ka zhvilluar një diskutim që analizon të gjithë elementët që kanë sjellë largimin e punonjësve dhe po shkakton një vakum në tregun e punës. Duke folur mbi situatën z.Roden Pajaj ka përmendur sektorët që po përballen me fenomenin si si fasonët, bujqësia, sektori financiar etj.duke theksuar faktin se askush nuk duhet të suprizohet nga kjo situatë dhe se bizneset duhet me urgjencë të ndryshojnë politikat e tyre të zhvillimit të kapitalit njerëzor nëse duan të ndryshojnë situatën.

Të njëjtin mendim ka mbajtur dhe akademiku Selami Xhepa i cili e ka konsideruar fenomenin si një dështim të gjithë aktorëve dhe ka kërkuar që ndryshimi të bëhet mbi baza të një modeli të qëndrueshëm dhe të ndihmohet jo vetëm nga sjellja e biznesit por dhe politikat ekonomike dhe incentivat që aplikon qeveria.

Nën këndvështrimin e ekspertit z. Risilia u shpreh se deri më sot bizneset janë munduar të trajnojnë fuqinë punëtore sipas nevojave të tyre, por në fakt është bërë e nevojshme që bizneset duhet ta shikojnë më shumë si një edukim i vazhdueshëm i fuqisë punëtore

Ndërkohë z.Mirgen Hoxha ka sjellë eksperiencën e tij të diversifikimit të trajnimit dhe orientimit të stafeve duke e i përshtatur kapacitetet dhe talentet e tyre me pozicionet e punës.  

Cfarë na tregoi Indeksi i Biznesit 2021

Indeksit të Biznesit, i njohur për perceptimin e klimës së Biznesit përmes opinionit të anëtarëve të AmCham, shënoi përmirësim, në 41.4 pikë, nga 37.66 pikë vitin e mëparshëm.

Ndërkaq ky vit ka vendosur në majën e piramidës së shqetësimeve gjetjen e forcave të kualifikuara të punës. Eshtë viti i parë që ky tregues del në krye të listës së shqetësimeve të biznesit dhe duke marrë vlerësimin më të ulët, në 24.47 pikë, nga 100 pikë që është vlerësimi maksimal.  Niveli i lartë i emigrimit po zvogëlon mundësitë e bizneseve për të punësuar ekspertë profesionistë, duke dëmtuar performancën e shumë kompanive. Si rezultat, gjetja e stafit të kualifikuar vendor në vitin 2021 është raportuar të jetë i vështirë, ose shumë i vështirë për 78.7% të kompanive të anketuara.

Krahas mungesës së fuqisë punëtore, problematikat më të mëdha të biznesit lidhen me monopolin dhe konkurrencën e pandershme, nivelin e lartë të informalitetit të ekonomisë, burokracitë e qeverisë dhe korrupsionit.

Vlen të përmendet mes shifrave dhe ata indikatorë që kanë merituar vëmendjen pozitive të të anketuarve duke e kaluar pragun e 50 pikëve. Të tillë mund të përmendim “Energjinë” e cila ka një vlerësim prej 66.10 pikë dhe refekton sigurinë që kanë patur bizneset për sigurimin me energji gjatë 2021. E njëjta gjë vërehet tek “Marrëdhëniet me Doganat dhe Tatimet” të dyja të vlerësuara me 62.15 dhe 58.98. “Rendi dhe Siguria në vend”,  gjithashtu kanë marrë një vlerësim prej 57.02 pikë  dhe “Prona Private” 50.68 pike. Indikatorët e tjerë dhe pse kanë patur përmirësime të lehta mbeten gjithnjë poshtë pragut të mesatares.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *