“Ne nuk jemi profesionistë… ne jemi perfeksionistë.”
Ky është slogani me të cilin Kantina Pelium duket sikur nuk firmos thjesht shishe vere, por një filozofi pune ku çdo detaj ka rëndësi dhe ku pasioni për verën shndërrohet në standard.
Këtë ndjesi përjeton gjatë vizitës në Kantinën Pelium. Ajo që në fillim duket si një ndalesë për degustimin e verës, kthehet në një udhëtim në historinë e lashtë ilire, frymëzimi që shtyu dy miq të shndërronin ëndrrën për të krijuar një brand shqiptar të verës në një hapësirë të dedikuar për verëdashësit. Kantina Pelium gjendet lehtësisht në rrugën drejt Korçës, mes vreshtave që tregojnë kujdesin dhe durimin për të ndërtuar nga rrënjët diçka të mirë. Kurioziteti për të ditur më shumë të shtyn drejt një shtegu të ngushtë që të çon te ndërtesa e kantinës, një hapësirë ku natyra dhe arkitektura duket sikur bashkëjetojnë në harmoni.
Gentian Ramollari flet për verën jo si për një produkt, por si për një krijesë që kërkon kujdes të përditshëm. Teksa na prezanton me kantinën, investimi për të cilin ka qenë një hap i guximshëm në jetën e tij, përjeton diçka që rrallë e gjen në biznes, një lidhje emocionale me atë që prodhon.Në ambientet e brendshme të kantinës, teknologjia moderne bashkëjeton me një qasje pothuaj artizanale ndaj detajit. Çdo proces kontrollohet me rigorozitet dhe sita e cilësisë vulos etiketën e cila ka karakter, shije dhe finesë. Dhe aty kupton slloganin ”Ne nuk jemi profesionistë… ne jemi perfeksionistë”. Sepse cdo tonalitet i notave dhe aromës që shijon në një shishe vere është një vendim i menduar mirë, një kompromis i refuzuar në kurriz të cilësisë dhe një standard i barabartë me perfeksionin.
“Pelium” nuk është thjesht një emër i zgjedhur bukur. Ai vjen nga një trevë ilire, pikërisht atje ku është ndërtuar kantina duke i dhënë një identitet shqiptar që synon të marrë atributet e Ambasadorit dhe të prezantojë denjësisht në botën e sofistikuar të verërave aromën dhe autenticitet shqiptar. Për Gentin kjo nuk është vetëm një plan marketing, por një mision për të treguar se Shqipëria mund të prodhojë verë që konkurron me dinjitet në segmentin premium ndërkombëtar.
Kur largohesh nga Kantina Pelium, nuk merr me vete vetëm një shishe verë. Merr një histori dhe mbi të gjitha energjinë e një sipërmarrësi që beson fort në atë që bën. Në fund, ndoshta diferenca mes profesionistit dhe perfeksionistit qëndron pikërisht aty tek pasioni për të mos u kënaqur kurrë me të zakonshmen, tek guximi për ta kthyer verën në një identitet.
Dhe në Pelium, këtë e ndjen në çdo gllënjkë.

