Faza e tretë e programit të trajnimit MoveUp, kishte në fokus Menaxhimin dhe Kontrollin e Projekteve të Logjistikës, ku bizneset u orientuan drejt njohurive praktike dhe metodologjive të avancuara për menaxhimin efikas të projekteve logjistike.
Programi i trajnimit, në këtë modul, targetoi profesionistë të fushës, duke synuar forcimin e aftësive dhe kapaciteteve konkurruese të nevojshme për të operuar në tregun evropian, ku konkurrenca është e fortë dhe standardet janë kërkuese.
Trajneri Paul Nita u fokusua në bashkëveprimin me menaxherë dhe përfaqësues të bizneseve në fushën e logjistikës, të cilët u njohën me mjete dhe metodologji praktike për menaxhimin me sukses të projekteve logjistike, nga planifikimi dhe zbatimi deri te monitorimi dhe vlerësimi i performancës. Nëpërmjet shembujve praktikë, pjesëmarrësit diskutuan mënyrat për të përcaktuar qartë qëllimin e projekteve, për të menaxhuar burimet dhe për të mbajtur nën kontroll ecurinë e projekteve gjatë gjithë ciklit të zhvillimit, duke adresuar dhe menaxhuar në mënyrë efektive rreziqet.
Një pjesë e rëndësishme e trajnimit iu kushtua karakteristikave specifike të projekteve në logjistikë, të cilat shpesh kërkojnë koordinim efikas mes hallkave të zinxhirit të furnizimit dhe klientëve të shumtë. Pjesëmarrësit analizuan strategji të ndryshme logjistike dhe diskutuan mbi avantazhet e metodave të punës dhe menaxhimit të projekteve që fokusohen tek fleksibiliteti dhe bashkëpunimi. Mjediset gjithnjë e më dinamike të punës kërkojnë një qasje më të përshtatshme në menaxhimin e projekteve, dhe këtë trajneri Paul Nita u përpoq ta ilustrojë përmes shembujve praktikë.
Një nga elementët e trajtuar në trajnim ishte matja e performancës, ku pjesëmarrësit u njohën me përdorimin e treguesve kryesorë të performancës si një mënyrë për vlerësimin e rezultateve të projekteve dhe për përmirësimin e efikasitetit operacional. Gjithashtu u diskutuan strategjitë për menaxhimin e rrezikut, duke ndihmuar bizneset të identifikojnë rreziqet e mundshme dhe të zbatojnë masa parandaluese në kohë. Përveç aftësive teknike, trajnimi theksoi edhe rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit efektiv në ekipet e logjistikës, si brenda kompanisë ashtu edhe me partnerët dhe klientët. Pjesëmarrësit diskutuan mbi lidershipin dhe zhvillimin e aftësive komunikuese, të cilat janë thelbësore për drejtuesit e projekteve në mjedise konkurruese.
Programi MoveUp, i zbatuar në Shqipëri nga IFC dhe Dhoma Amerikane, ka hyrë në një fazë të rëndësishme dhe po evidenton përmes moduleve të tij elementë kyç të aftësive drejtuese, digjitale dhe operacionale, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë në sektorin e logjistikës dhe menaxhimit të zinxhirit të furnizimit.

