Ndërveprimi i arsimit profesional me nevojat reale të ekonomisë është një nga elementët kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të tregut të punës. Në një kohë kur bizneset përballen gjithnjë e më shumë me sfidën e gjetjes së fuqisë punëtore të kualifikuar, roli i sektorit privat në orientimin e arsimit profesional bëhet thelbësor. Në këtë kontekst, Dhoma Amerikane ka ndërmarrë një inisiativë për të informuar komunitetin e saj të biznesit mbi një nismë me rëndësi për forcimin e bashkëpunimit midis biznesit dhe institucioneve të arsimit profesional në Shqipëri. Legjislacioni në fuqi parashikon që shkollat profesionale të kenë në përbërjen e tyre Borde Drejtuese, ku përfaqësimi i sektorit privat është pjesë integrale e strukturës vendimmarrëse.
Përmes kësaj nisme, anëtarët e Dhomës Amerikane kanë mundësinë të kontribuojnë drejtpërdrejt në drejtimin strategjik të këtyre institucioneve, duke sjellë perspektivën e biznesit në zhvillimin e kurrikulave dhe në përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm. Angazhimi i komunitetit të biznesit në këto struktura përfaqëson një hap konkret drejt afrimit të arsimit me tregun e punës dhe krijimit të një ekosistemi më të fortë të zhvillimit ekonomik.
Pse është i rëndësishëm ky angazhim?
- Mundësia për përmirësimin e kurrikulave që reflektojnë nevojat reale të sektorëve ekonomikë
- Ndërtimi i urave të qëndrueshme mes shkollës dhe biznesit
- Kontributi përmes mendimit praktik në formimin e një brezi të ri profesionistësh të përgatitur për tregun e punës.
Kriteret për përfaqësuesit e sektorit privat
Sipas ligjit, Bordi Drejtues është organi që merr vendime për drejtimin strategjik të institucionit, planifikimin dhe përdorimin e burimeve. Në përbërjen e tij përfshihen dy përfaqësues të sektorit privat, të lidhur me profilin e shkollës, dhe kryetari i Bordit zgjidhet nga radhët e përfaqësuesve të biznesit. Kjo do të thotë se zëri i biznesit nuk është thjesht konsultativ, por ka rol real në orientimin strategjik të institucionit.
Anëtarët e interesuar mund të shprehin gatishmërinë e tyre për të aplikuar në Bordet Drejtuese, në përputhje me profilin e sektorit ku operojnë mbështetur në këto kritere.
- Të përfaqësojë një biznes që operon në sektorin përkatës të profilit të shkollës;
- Të ketë eksperiencë profesionale dhe reputacion të mirë në fushën përkatëse;
- Të mos jetë në konflikt interesi me institucionin;
- Të ketë aftësi për të kontribuar në drejtimin strategjik dhe zhvillimin e institucionit;
Mandati dhe përfaqësimi formalizohen përmes aktit të emërimit nga institucioni përkatës.
Si të aplikoni për përfshirjen në Bordet Drejtuese
Procedura e aplikimit përfshin:
- Shprehje interesi nga biznesi përmes një shkrese zyrtare;
- Dorëzim dokumentacioni që provon:
- Statusin ligjor të subjektit;
- Lidhjen me profilin e shkollës;
- CV e përfaqësuesit;
Vlerësim dhe formalizim i përfaqësimit sipas procedurave të përcaktuara nga autoriteti përgjegjës për AFP-në.
Dhoma Amerikane ju inkurajon të bëheni pjesë e këtij angazhimi i cili është një investim në të ardhmen e kapitalit njerëzor, dhe në krijimin e një tregu konkurrues pune. Një listë të shkollave të mesme profesionale në shkallë vendi, profilet dhe degët që ato ofrojnë mund ta gjeni në linkun: Arsimi dhe Formimi Profesional

