Trajnim për zbatimin praktik të rregullave dhe kodeve të integritetit
Dhoma Amerikane dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) kanë organizuar trajnimin për integritetin në biznes, si një set me rregulla dhe kode të nevojshme për t’u zbatuar nga një vend që po troket në derën e BE-së. Trajnimi synoi të sillte informacion të përditësuar mbi rregullat dhe kodet aktuale që rregullojnë veprimtarinë e një biznesi mbi norma të etikës dhe integritetit, dhe ndryshimet që po ndodhin në legjislacion në kuadrin e integrimit evropian.
”Ky trajnim ka një temë mjaft interesante dhe përputhet me objektivin, Komitetit të Punës dhe Etikës së AmCham, puna e të cilit është të përcjellë te anëtarët tanë mekanizmat e nevojshëm për të zhvilluar jo vetëm në teori por edhe në praktikë parimet themelore të integritetit në biznes”- tha gjatë fjalës së tij Neritan Mullaj, Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania.
Për Drejtuesin e IDM, Sotiraq Hroni, puna për të ndërtuar mekanizma që do ti shërbejnë administratës publike dhe sektorit privat, është një nga projektet e rëndësishme të institucionit që ka një eksperiencë 25-vjeçare në çështjet e luftës kundër korrupsionit dhe ndërtimin e kulturës së integritetit. ”IDM me përvojën shumëvjeçare në ngritjen e instrumenteve të integritetit në sektorin publik ka punuar për t’i përshtatur kodet dhe mekanizmat edhe për sektorin privat dhe i ofron ato edhe për anëtarët e Dhomës Amerikane” – tha z. Hroni gjatë fjalës përshëndetëse.
Administrata publike është e para që po përballet me erën e ndryshimit dhe njehsimin e mekanizmave të zbatimit dhe monitorimit të rregullave të integritetit dhe puna ka filluar me Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030. Rovena Pregja, Drejtore në Ministrinë për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin (MAPA) ka folur për evolimin që po pëson kjo strategji për t’u përshtatur me legjislacionin evropian. Objektivi 9 i kësaj strategjie promovon vetëdeklarimin në sektorin privat dhe zbatimin e mekanizmave që e mbrojnë biznesin nga aktet e korrupsionit dhe konfliktit të interesit.
Një vështrim më të gjerë të të gjithë mekanizmave dhe kodeve që vihen në zbatim dhe janë të përshtatshëm për sektorin privat i ka shpjeguar Rovena Sulstarova, eksperte në IDM. Biznesi shfaq një zbatim praktik të cunguar dhe mungojnë procedura të standardizuara dhe mjete për menaxhimin e riskut të integritetit. Nga evidentimet në praktikë, IDM ka konstatuar se bizneset nuk e kanë të konsoliduar kulturën e raportimit dhe sinjalizimit edhe pse prej kohësh ka dalë ligji për sinjalizuesit. Për këtë arsye, IDM i ofron sektorit privat një set me rregulla dhe kode që e ndihmojnë biznesin të ulë ekspozimin ndaj rrezikut dhe të rrisë efikasitetin e brendshëm. Përshtatja me këto rregulla do ta ndihmojë sektorin privat në përputhshmërinë me kërkesat e BE-së dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e tyre në treg. ”Nëse një biznes prezantohet përpara bankës apo partnerëve si një entitet që operon mbi plane integriteti, kod etik, manual të menaxhimit të konfliktit të interesit apo rreziqeve të korrupsionit, kjo është një vlerë e shtuar dhe rrit besimin ndaj tyre”- u shpreh gjatë prezantimit znj. Rovena Sulstarova.
IDM mbështetur në këtë bashkëpunim me AmCham do të organizojë një projekt pilot për të asistuar disa kompani të përzgjedhura me instrumente praktike integriteti dhe një set rregullator si kodi etikës, menaxhimi i konfliktit të interesit dhe ulja e rriskut të korrupsionit.

