”Java e Parasë” e organizuar nga Banka e Shqipërisë është moment ideal për të folur për një formë të re dhe inovative të pagesave ”Open Banking” e cila po revolucionarizon sektorin financiar në Shqipëri, duke u përafruar me standardet e pagesave në EU. Kjo ka nxitur bashkëpunimin mes Dhomës Amerikane dhe Bankës së Shqipërisë për të organizuar Forumin me temë “E ardhmja është tani: Si po riformëson inovacioni shërbimet financiare shqiptare në 2025”
Takimi është përshëndetur nga Guvernatori Z.Gent Sejko i cili gjatë fjalës së tij tha se “Shqipëria ishte vendi i parë në rajon, i cili transpozoi kuadrin evropian të shërbimeve të pagesave të njohur si PSD2. Kjo paketë rregullatore i hapi rrugën aktorëve të rinj fintech për ofrimin e produkteve të pagesave të përshtatura sipas nevojave të klientëve, me kosto më të ulëta dhe lehtësisht të përdorshme. Ajo solli dhe një koncept të ri, atë të “Open Banking”, duke nxitur konkurrencën në treg”.
Në një botë ku teknologjia po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si bëjmë biznes, “Open Banking” është çelësi inovativ që e vendos në një tjetër stad raportin mes bankës dhe konsumatorit duke vendosur terma të reja të konkurrencës, shërbimit të personalizuar, eficencës në sistemin e pagesave, reduktim të kostove dhe sigurisë që duhet të ketë ky raport.
“Si organizatë biznesi ne njohim potencialin që kemi për të luajtur një rol kritik në promovimin dhe adoptimin e “Open Banking” brenda komunitetit të biznesit duke edukuar anëtarët mbi përfitimet e Open Banking dhe se si ai mund të transformojë operacionet e tyre financiare”- tha Z.Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i AmCham Albania, gjatë përshëndetjes. Z. Mullaj vendosi theksin në faktin se çdo proces vjen më sfidat e veta dhe kalimi në zonën SEPA dhe aplikimi i “Open Banking” do të sjellin përfitime për sektorin financiar por njëkohësisht do ti vendosi bankat lokale dhe bizneset përballë sfidës së përmirësimit të sistemeve dhe trajnimit të personelit.
Aplikimi i “Open Banking” ndodh në kohën kur Shqipëria është bërë pjesë e SEPA duke ndërmarrë një hap tjetër drejt integrimit financiar me vendet e BE-së dhe që do të lehtësojë transaksionet me këto vende duke mbështetur kështu tregtinë dhe investimet. Ky moment i rëndësishëm është diskutuar nga ekspertë të fushës së financës dhe bankingut të cilët kanë skanuar sektorin financiar dhe legjislacionin në të cilën do të zhvillohet “Open Banking”, si dhe efektet e tij në veprimtarinë e biznesit. Paneli i moderuar nga Lindita Shomo, Kryetare e Komitetit Digjital AmCham dhe Drejtore Ekzekutive, EasyPay ka patur prezencën e Deniz Deralla, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes, Banka e Shqipërisë, Ledia Bregu, Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës, Banka e Shqipërisë, Elton Çollaku, Anëtar i Bordit AmCham, Administrator, Unioni Financiar Tiranë dhe Marin Gjonaj, Anëtar Premium i AmCham, Kryetar i Bordit Drejtues, Gjonaj Group Holding.
Moderuesja e takimit Znj.Lindita Shomo ka shpjeguar prakticitetin e “Open Banking” dhe mënyrën se si biznesi mund të përfitojnë nga ky sistem pagese si edhe nevojën për informim me të cilën duhet të shoqërohet ky proces nisur dhe nga eksperienca e institucionit financiar që ajo drejton Easy Pay. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë folur mbi sistemin rregullator që rregullon “Open Banking” dhe transaksionet në zonën SEPA duke përcjellë elementë të rëndësishëm në zbatimin në praktikë. Z.Deniz Deralla, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes, ka shpjeguar se Banka e Shqipërisë ka hartuar në kohë rekord rregulloren që i jep mundësi institucioneve financiare të aplikojnë “Open Banking”, duke ofruar këtë shërbim për bizneset dhe individët. “Open Banking do të jetë një lehtësi për bizneset që do ta përdorin ndërkohë që aderimi në zonën SEPA do ti bëjë transaksionet rreth 10 -15 herë më të lira dhe Shqipëria është e vetmja në Rajon që po operon brenda kësaj zone” – tha gjatë takimit, znj.Ledia Bregu, Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave.
Përfaqësuesit e Dhomës Amerikane në panel kanë sjellë eksperiencën e tyre. Z.Elton Çollaku, Anëtar i Bordit Drejtues, ka folur për mënyrën se si Unioni Financiar Tiranë, institucioni financiar që drejton, po orienton proceset në lehtësimin e veprimtarisë së biznesit përmes proceseve të sigurta. Z. Çollaku ishte i mendimit se Shqipëria ka shënuar një përparim të ndjeshëm në raport me fqinjët në zbatimin e këtyre proceseve dhe ka shënuar përparime që e kanë vendosur atë në të njëjtin nivel me vendet e BE-së.
Si përfaqësues i bizneseve në sektorin e telekomunikacionit, Z. Marin Gjonaj tha gjatë fjalës së tij se “Shërbimet e pagesave dhe të gjitha transaksioneve online janë më se të domosdoshme në këtë kohë kur bizneset e Shqipërisë punojnë dhe konkurojnë në arenën ndërkombëtare, siç janë kompanitë e Gjonaj Group. Jam i bindur se përshpejtimi i “Open Banking” për bizneset dhe veçanërisht SEPA do i ndihmojë për mirë bizneset se do ulë kostot dhe do u japë frymëmarrje operacioneve të tyre ndërkombëtare”.