Konferenca me temë ”Pronësia Intelektuale dhe Inovacioni: Shqipëria dhe rrugëtimi drejt integrimit në BE” organizuar nga ICC Albania, AmCham dhe CCI France Albania në partneritet me GIZ Albania dhe Projektin ALSIP dhe mbështetjen institucionale të DPPI mblodhi së bashku mbi 80 pjesëmarrës duke përfshirë ekspertë ligjorë, profesionistë të industrisë, akademikë dhe politikëbërës.
Ky aktivitet ka synuar të shqyrtojë tendencat aktuale, çështjet në zhvillim dhe drejtimet e ardhshme në fushën e pronësisë intelektuale (PI) në Shqipëri. Temat kryesore të diskutuara përfshijnë ndikimin e teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimit të produkteve farmaceutike në PI, zhvillimet rregullatore, strategjitë e zbatimit dhe përpjekjet e Shqipërisë për harmonizimin me acquis të BE-së në këta sektorë të veçantë.
Vështrime mbi PI në epokën digjitale
Paneli i kompozuar me ekspertë të Dhomës Amerikane dhe të fushës solli në vëmendje lidhjen e hershme të teknologjisë dhe të drejtave të pronësisë intelektuale dhe si pronësia intelektuale përbën një nga asetet më të rëndësishmë për biznesin në kohët që jetojmë.
Diskutimi vuri në pah risitë ligjore që ndikojnë në aktivitetet e biznesit. Presidenti i AmCham, Grant Van Cleve, i cili hapi panelin, theksoi rëndësinë që Dhoma Amerikane i kushton këtij problemi kritik për bizneset.
Zhvillimi i teknologjisë ka sjellë një rikonceptim të këtyre të drejtave të cilat kërkojnë rregullim të posaçëm. Në kuadër të integrimit në BE dhe tregun e përbashkët, bizneset duhet të përgatiten. Pjesë e këtij paneli ishin Albana Karapanço, COO & Drejtuese e Departamentit Juridik tek Tegeria, Borana Ajazi LLM, MA, Drejtore e Drejtorisë së të Drejtave të Autorit në MEKI, Neritan Frashëri, Drejtor për Pronësinë Industriale, Inspektorati Shtetëror për Mbikëqyrjen e Tregut, Renata Leka, Partnere në Boga & Associates, Adea Pula, Themeluese dhe Menaxhere e Përgjithshme në Adea Pula Law.
Kuadri Rregullator: Prezantimet u fokusuan në zhvillimet e fundit legjislative dhe rregullatore mbi të drejtat e PI në Shqipëri dhe Kosovë. Fjala e panelistëve u ilustrua me shembuj nga praktika dhe u pasurua me përditësime mbi nismat dhe angazhimet e institucioneve publike përkatëse si Drejtoria e të Drejtave të Autorit dhe Inspektorati Shtetëror për Mbikëqyrjen e Tregut me partnerë ndërkombëtarë dhe ndikimet e rregulloreve të privatësisë së të dhënave në administrimin e PI. Vëmendje të veçantë mori diskutimi mbi të drejtën e autorit duke qenë se pjesëmarrësit shfaqen interes mbi çështje konkrete. Gjithashtu, pati një dakordësi midis palëve pjesëmarrësve që bizneset duhet të përgatiten në kuadër të integrimit në BE dhe tregun e përbashkët.
Monitorimi i tregut: Kishte konsensus mbi nevojën kritike për mekanizma të fuqishëm të zbatimit për të mbrojtur në mënyrë efikase të drejtat e pronësisë intelektuale (PI). Kjo përfshin përmirësimin e kuadrit ligjor dhe aftësive të zbatimit dhe bashkëpunimit me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë për të luftuar piraterinë dhe shkeljet.
Edukimi dhe ndërgjegjësimi: Rritja e edukimit dhe ndërgjegjësimit për të drejtat e PI-së midis palëve të interesuara, duke përfshirë bizneset, krijuesit dhe konsumatorët, u identifikua si thelbësore. Kjo përfshin promovimin e të kuptuarit të ligjeve, të drejtave dhe përfitimeve ekonomike të mbrojtjes së PI-së. U sugjerua gjithashtu që edukimi mbi të drejtat e pronësisë intelektuale të jetë pjesë e kurrikulave në arsim qysh herët duke qenë se teknologjia dhe inovacioni është gjithnjë e më tepër prezent në brezat e rinj.
Bashkëpunimi: Panelistët dhe pjesëmarrësit identifikuan nevoja për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe privat u konsiderua si parësore. Megjithatë, bashkëpunimi me aktorë të tjerë si akademikët dhe partnerët ndërkombëtarë kërkon gjithashtu vëmendje të mëtejshme.
Fokusi në industri të veçanta: U diskutua gjithashtu mbi sfidat dhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave në industri të reja për Shqipërinë, si ajo e lojrave dhe realitetit virtual. Këto zhvillime kërkojnë ndërgjegjësim dhe edukim.