Dhoma Amerikane flet me anëtarët për çështjet e sektorit të shëndetësisë

Dhoma Amerikane flet me anëtarët për çështjet e sektorit të shëndetësisë

Bizneset anëtare të Dhomës, përfaqësues të sektorit të shëndetësisë, u
takuan për të diskutuar mbi çështjet themelore që janë diagnostikuar në
sistemin e shëndetësisë në Shqipëri. Ky takim solli në një tryezë të përbashkët
ekspertët më të mirë të fushës së kujdesit ndaj shëndetit për të diskutuar mbi
sfidat e sistemit shëndetësor në Shqipëri me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe
rritjen e inovacionit në ofrimin e kujdesit shëndetësor.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e sektorit të shëndetësisë kanë analizuar edhe
njëherë problematikat më të mprehta me të cilat përballet biznesi i tyre.
Sektori i farmaceutikës risolli edhe njëherë shqetësimin mbi përditësimin e
metodologjisë së përcaktimit të çmimeve të barnave, heqjen e OTC nga monitorimi
i çmimeve, përmirësimi i rregullave në promovimin e barnave që tregtohen pa
recetë mjekësore (OTC), kur ky promovim bëhet drejtpërdrejt për publikun dhe
rritjen e transparencës së listës së barnave të rimbursueshme. Aktualisht
çmimet e barnave, vendosen mbi bazën e një metodologjie të vjetër që nuk
reflekton nevojat e tregut. Për më tepër, kriteret që parashikon kjo
metodologji, po largojnë patentat e njohura nga tregu dhe për rrjedhojë edhe
produktet cilësore. Për më tepër, situata e pandemisë dhe rritja e
ndjeshme e kostove të prodhimit e ndjekur dhe nga një rritje e lartë e
inflacionit, e ka vënë në vështirësi tregun e farmaceutikës që tashmë kërkon
vëmendjen e qeverisë. 

Ndërsa, sektori i shërbimit spitalor përballet me probleme të sistemit
rregullator për sa i takon paketave me rimbursim, që e bëjnë të nevojshme
rregullimin me ligj dhe lobimin e kësaj pjesë të industrisë shëndetësore.
Takimi i ka kushtuar vëmendje edhe problematikave të sektorit të pajisjeve mjekësore
të cilët kanë nevojë të azhornohen kodet e pajisjeve që importojnë në sistemin
doganor.

Në përfundim, anëtarët janë shprehur se rritja e komunikimit me qeverinë dhe
zhvillimi i një ambjenti ndërveprues dhe tërheqës për të gjithë grupet e
interesit për të diskutuar sfidat kryesore mbi sistemin e shëndetësisë, do të
nxisë zhvillimin e këtij sektori dhe përmirësimin e cilësisë në ofrimin e
kujdesit shëndetësor për publikun.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *