Komiteti Ligjor, Rregullator & Pronësia Intelektuale ka organizuar
takimin e parë pas zgjedhjeve për Komitete, ku është prezantuar Kryetarja
Albana Karapanço, Nënkryetari Ened Topi dhe grupi i punës i përbërë nga
ekspertë dhe profesionistë të fushës.
Takimi është përshëndetur nga Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, z.
Enio Jaço i cili ka theksuar rëndësinë që ka për proçeset lobuese të Dhomës ky
Komitet dhe i ka nxitur të draftojnë një strategji dhe plan pune për vitin që
do t’i shërbejë edhe raportimit periodik në Bord.
Anëtarët e Komitetit kanë diskutuar mbi objektivat dhe çështjet themelore ku
duhet të fokusohet Komiteti gjatë 2023, duke përmendur si më të rëndësishmet
lobimin për ligjet e reja që prekin aktivitetin e biznesit, avancimin e
rekomandimeve të Axhendës së Investimeve, me theksin veçanërisht tek lufta
kundër korrupsionit, proçesi i konsultimit publik, etj.
Tema të tjera si siguria kibernetike, çështjet e Pronësisë Intelektuale,
elementë të ligjit të konkurrencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale, do të
jenë pjesë e planit të këtij Komiteti gjatë 2023.