Efiçenca në zbatimin e ligjit që garanton konsultimin publik, ka qënë fokusi i diskutimit të Presidentit të AmCham Albania z. Enio Jaço në takimin e Këshillit të Investimeve të thirrur pikërisht për këtë temë.
“Aktualisht ekziston një platformë dhe kjo shërben si një fillim i mbarë i procesit të KP. Por kjo platformë ka disa defekte serioze. Ajo që ne kemi identifikuar ka të bëjë me faktin që ligjit të konsultimit publik i mungon mekanizmi zbatues. Në analizën tonë, ne gjykojmë që mbi 50% e ligjeve që miratohen nuk i nënshtrohen rregullave të përcaktuara nga ligji mbi informimin dhe konsultimin publik, për të cilin mendojmë që është një ligj i mirë. Prandaj theksojmë se mekanizmi detyrues zbatues do të ndihmonte në këtë drejtim”- është shprehur z.Jaço gjatë takimit.
Këshilli i Investimeve ka vlerësuar rekomandimet e ofruara nga Dhoma Amerikane dhe ka bërë të ditur gjatë takimit se në bazë të këtyre rekomandimeve do të ndërtohen propozimet për ndryshime ligjore si dhe do të hartohet një plan veprimi në mënyrë që të krijohet mundësia për të ecur përpara.
Mbledhja është drejtuar nga Ministrja e Financës dhe Ekonomisë znj.Delina Ibrahimaj e cila në diskutimin e saj mbi zbatimin korrekt të ligjit mbi konsultimin publik ka theksuar rëndësinë dhe efektivitetin e mekanizmave ekzistues të konsultimit. Znj Ibrahimaj gjithshtu ka konstatuar se aktet nënligjore që janë në themel të ligjeve, pra që meritojnë të kenë një konsultim publik për shkak të impaktit të madh që ato kanë, duhet patjetër të konsultohen. Pavarësisht se kjo nuk është e parashikuar në ligj, në emër të MFE, Ministrja ka shprehur angazhimin për të konsultuar akte të tilla nënligjore me grupet e interesit.
Ligji për konsultimin publik është miratuar që prej vitit 2014 dhe portali i konsultimit publik u mendua si një instrument që do të sillte bashkë sektorin privat me politikëbërjen duke lejuar evidentimin më të mirë të të gjitha problematikave të proceseve legjislative të iniciuara duke garantuar transparencë në procesin e hartimit të projektligjeve. Megjithatë të dy palët bien dakort të faktin se ky instrument ligjor nuk ka funksionuar dhe kërkojnë përdorimin e mekanizmave që sigurojnë funksionalitetin dhe eficencën e tij.