Projektligji për Tatimin mbi të Ardhurat për të cilin Dhoma Amerikane ka bërë rekomandimet e veta nëpërmjet Axhendës së Investimeve, nuk i është dorëzuar akoma organizatave të biznesit për komente dhe kjo vonese në prezantimin zyrtar të këtij projektligji te rendesishem për qytetarët dhe biznesin, ka sjellë shqetësime mbi efikasitetin e procesit te konsultimit publik.
Ndërkohë që në media qarkullon një draft i cili duket se nuk i ka reflektuar rekomandimet e Dhomës Amerikane, ekspertët e Komitetit të Tatimeve dhe Doganave mbeten në pritje të draftit zyrtar të premtuar që prej 30 Marsit, për të kuptuar reflektimin e rekomandimeve të Dhomës, por dhe për të kryer një analizë të plotë dhe të thellë të draftit në funksion të një procesi serioz konsultimi publik.
Ekspertët e Dhomës Amerikane i kanë kushtuar kohë dhe vëmendje të posaçme këtij ligji, i cili është sensitiv dhe ka një impakt gjithëpërfshirës për qytetarët dhe veprimtarinë e biznesit. Në rekomandimet e dërguara në qeveri në 2021 nëpërmjet Axhendës së Investimeve, në mënyrë specifike është kërkuar që Ligji mbi të Ardhurat duhet të draftohet në mënyrë që të garantojë një sistem të qëndrueshëm dhe të drejtë tatimor, i cili nuk bëhet pjesë e ndryshimeve ligjore çdo vit.
Takimi i Komitetit të Tatimeve dhe Doganave ka shërbyer gjithashtu edhe për të diskutuar dhe përditësuar planin e punës për gjysmen e dyte të vitit 2022, për të zhvilluar shtyllat themelore të punës së Dhomës lidhur me advokacinë dhe trajnimet profesionale