Perspektiva e turizmit, potenciali që vjen nga tregu amerikan – Flet Nevila Dudaj,  Menaxhere e Përgjithshme e ADRIATIC TOURS LLC

Perspektiva e turizmit, potenciali që vjen nga tregu amerikan – Flet Nevila Dudaj,  Menaxhere e Përgjithshme e ADRIATIC TOURS LLC

Nga një raport i INSTAT mësohet se turistet amerikanë patën një rritje prej 43 për qind këtë sezon turistik. Ju keni qënë mjaft aktive në Panaire në Amerikë dhe keni punuar shumë për të promovuar Shqipërinë dhe potencialin e saj turistik, si e komentoni këtë statistikë?

Faleminderit, është kënaqësi e veçantë të shprehem këtu, në mesin e bizneseve me të suksesshme shqiptare. Dhoma Amerikane, është shumë aktive, mbështetëse dhe inkurajuese e iniciativave të biznesit, ju përgëzoj për këtë, si përfaqësuese e Hotel Adriatik, një prej bizneseve anëtare, prej mbi një dekade.  

Adriatik Tours LLC, zyra jonë në Amerikë operon prej 5 vitesh duke promovuar Shqipërinë në të gjitha rrjetet profesionale, nivelet dhe kanalet zyrtare të turizmit në SHBA. Ne operojmë me

Adriatik Tours LLC, si Tour Agency për Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin, si pjesë e ASTA, VIRTUOSO, Global Business Travel by American Express, si dhe publikojmë e shpërndajmë falas Revistat tona vjetore “Travel 2 Albania”, që përmbajnë materiale promocionale dhe artikuj informues për qytetet shqiptare, kulinarinë dhe mikpritjen. Ne ofrojmë paketa me çmime shumë tërheqëse, për operatorët turistike amerikane, që ofrojnë nga 8-21 ditë qëndrim në Shqipëri dhe vendet fqinje. Shqipëria ofron një potencial turistik të lartë, pasi është një nga vendet e Europës Lindore që tërheq vëmendjen për shkak të historisë së saj në komunizëm dhe mbylljes 50 vjeçare duke qënë përballë me Italinë dhe në veri të Greqisë.

Gjithashtu komuniteti shqiptar në Amerikë është një shtytje e fuqizimit të këtij efekti me ruajtjen e traditave dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore nga brezi në brez.Ata kanë mall dhe nostalgji për vendlindjen dhe kjo bën që shumë Amerikane të kenë dëgjuar tashmë për Shqipërinë e Kosovën, prej tyre. Viti 2020 ka qënë viti historik, ku Shqiperia fitoi terren dhe njohje për faktin që ishte një nga shtetet e pakta që lejuan Amerikanët të udhëtonin drejt Shqipërisë dhe kjo bëri që shumë media amerikane të shkruanin për të.

Si e shikoni sot tregun shqiptar për turizmin, cilat janë potencialet?

Tregu Shqiptar i Turizmit është i larmishëm në produkt dhe çmim, e sigurisht ofron më shumë produkte sesa disa vite më parë, infrastruktura është përmirësuar ndjeshëm dhe është më e lehtë për turistët të orientohen qoftë në grup, qoftë kur lëvizin të pashoqëruar.

Strukturat hoteliere, për fat të keq jane ende të pasistemuara dhe të pa-klasifikuara në kategoritë përkatëse, të cilat janë kusht i domosdoshëm për të tërhequr masën e duhur të turisteve amerikanë. Tregu është ende i paqartë mbi klasifikimin e yjeve në çdo strukturë dhe kjo është me rëndësi kur negocion me partnerët amerikanë, si dhe për ne vetë si strukturë hoteliere e pavarur, me 64 vite histori, si brandi i vetëm shqiptar.

Një tjetër kriter i domosdoshëm është kualifikimi i punonjësve në institucione të specializuara, si profesionistë në fushën e mikpritjes dhe zotërimi i anglishtes prej tyre.

Bukuritë natyrore janë të padiskutueshme dhe nuk dua të hyj në komente për to, por shqetësim në tregun tonë krijon pastërtia dhe rregulli, që kanë shumë ndikim tek cilido turist që viziton Shqipërinë, detaje këto që vihen re dhe theksohen shpesh nga turistët.

Ne përpiqemi të jemi tërheqës me ofertat tona dhe të çojmë turistët amerikanë jo vetëm për tour ditor edhe në qytetet e tjera shqiptare, por të ofrojmë edhe qëndrim në hotele të ngjashme me ne, ku duhet të gjejnë cilësi shërbimi të ngjashme me Hotel Adriatik.

Koordinimi dhe bashkërendimi na takon ta bëjmë ne si operatorë, që duhet të ofrojmë garanci dhe siguri për mirëqënien e turisteve gjatë vizitave të tyre në Shqipëri.

Si po punoni për të tërhequr turistët e huaj dhe në mënyrë të veçantë turistët amerikane.

Puna jone ka nisur para 5 vitesh me ngritjen e zyrës sonë në West Hartford, CT si një zyre shitjesh për Hotel Adriatik, DMC dhe Tour Agency për Shqipërinë.

Në atë kohë për shembull, gjatë panairit të parë ku kemi marrë pjesë me stendën tonë si Exhibitor në New York, me kujtohet që na vinin të na vizitonin dhe të na pyesnin jo vetëm njerzit e thjeshtë por edhe kompani udhëtimi, se ku ndodhej Shqiperia, pasi nuk kishin dëgjuar për të. Eshtë punë e vështirë dhe kërkon këmbëngulje e durim, si dhe shumë punë e kreativitet për të hyrë në rrjetet e duhura që sigurojnë shpërndarje të shpejtë të informacioneve dhe paketave turistike.

Gradualisht, në vitet në vijim, me një investim të konsiderueshëm në PR dhe Marketing,

përmes marketingut të targetuar drejt profesionistëve, si Tour Operators, duke zgjeruar anëtarësimin tonë nëpër rrjetet përkatëse, që kam përmendur më lart, frutet e këtyre përpjekjeve filluan të duken.

Duke marrë pjesë në mbi 5 panaire profesionistesh turistike, vetëm në një vit, për cdo vit, duke mbajtur konferenca për shtyp para gazetarëve, blogerave, influencuesve, duke dhënë intervista, e duke shfrytëzuar cdo mundësi për PR, shumë prej vështirësive u kaluan dhe sot gjendemi para një situate tjetër, ku Adriatik Tours LLC & Adriatik hotel, gëzojnë reputacion, partneritet dhe bashkëpunime të suksesshme jo vetëm me Operatorë Turistike Amerikane , por edhe me Qeverinë dhe Ambasadën Amerikane, American Counsel etj.  

Pandemia afektoi turizmin jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë Rajonin dhe Europë,  si e shikoni ju rrugëdaljen nga kjo krizë, cfarë do kërkonit nga qeveria si masa lehtësuese?

Normalisht bizneset u paralizuan për disa muaj në 2020 në Shqipëri gjatë mbylljes së vendit dhe situata ishte e vështirë për shkak të shumë anullimeve në udhëtime për muaj me rradhë, por mendoj se Qeveria Shqiptare më pas, e menaxhoi situatën mirë në momentin që e bëri Shqipërinë të aksesueshme nga amerikanët dhe pjesën tjetër të botës pa vendosur protokolle si shtetet e tjera.  Kjo na ofroi prioritet dhe siç përmenda më lart, na lejoi të promovojmë Shqipërinë në të gjitha rrjetet ku ne marrim pjesë për të reklamuar Shqipërinë si të vetmin vend që është i lirë dhe i hapur për këdo. Kjo solli edhe rekorde të tilla turistësh në vend.

Nga qeveria Shqiptare presim, që të na ofrojë mundësi të bashkëpunojmë me të dhe ta këshillojmë për hapat që ata duhet të ndërmarrin me Ministrinë e Turizmit, Ministrinë e Jashtme etj, në rolin e operatorëve me eksperiencë dhe sukses në këtë fushë, për të hapur rrugët e PR dhe marketimit të Shqipërisë në përmasa më të gjera këtu në Amerikë.

Mbështetja e tyre do të sillte më shumë mundësi për të gjithë strukturat akomoduese dhe agjensitë operuese në tregun Shqiptar.

Rrugëdaljen nga kriza që ka përfshirë gjithë botën tashmë, e shoh vetëm në shfrytëzimin e kësaj situate globale për të promovuar dhe për të sjellë më shumë turistë, si vend që ofron paketat më të mira në rajon.  

Nevila Dudaj

Adriatik Tours LLC

West Hartford, CT

USA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *