Intervistë e Presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në News24

Intervistë e Presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në News24

AmCham në Shqipëri ka zhvilluar pak ditë më parë një anketim me një bazë të gjerë të anëtarëve të saj mbi ndikimin e Covid19 në fuqinë punëtore. Për të folur rreth kësaj ankete dhe impaktin e krizës në ekonomi dhe biznes do të lidhemi me Presidentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, zotin Enio Jaço.

Pyetje:

Sapo ka përfunduar kjo anketë me bizneset tuaja mbi papunësinë që ka shkaktuar koronavirus. Pse u zhvillua kjo anketë dhe cfarë konkluzionesh ka patur?

Enio Jaço:

Faleminderit për ftesën dhe pyetjen. Qëllimi kryesor i anketës ishte që të vlerësonim impaktin që Covid-19 do kishte në lidhje me punësimin për anëtarët tanë. Kjo ka rëndësi për ne për disa arsye. Në rradhë të parë në lidhje me impaktin social që kjo përfaqëson por gjithashtu edhe për një lloj spirale negative që ajo mund të krijojë në ekonominë shqiptare, nëse rritet në përmasë të lartë. Ky ishte edhe qëllimi kryesor i këtij studimi.

Vumë re me kënaqësi që një pjesë e madhe e komunitetit tonë u përfshi në këtë anketë. Ata kanë qënë të përfshirë gjatë gjithë kohës në forma të ndryshme, përmes mekanizmave dhe forumeve tona dhe kanë dhënë një kontribut të lartë me mendimet, propozimet apo problemet e tyre. Kjo anketë përfaqësoi 78% të antarëve tanë. Duhet të kemi parasysh se janë drejtues të lartë të cilët kanë autoritetin të japin një informacion të tillë.

Në lidhje me pyetjen tuaj mbi konkluzionet e kësaj ankete, ne kemi dy konkluzione kryesore. Në rradhe të parë shohim shifrën e numrit të vendeve të punës të humbura gjatë kësaj periudhe. Ka qënë shumë i ulët, vetëm 466 ose 1.9% ndjeshëm më i ulët se ajo që ne prisnim dhe ky është një lajm pozitiv. Anëtarët tanë i japin një rëndësi shumë të madhe punësimit, një vlerë të madhe, kanë treguar rezistencë gjatë kësaj periudhe. Ata i japin vlerë të madhe forcës së tyre punonjëse dhe e çmojnë si kapitalin e tyre më të rëndësishëm dhe kjo na ka bërë ne të ndihemi më mirë gjatë kësaj periudhe.

Por nga ana tjetër kemi një shqetësim që e kanë anëtarët tanë dhe e shprehën në këtë anketë. Dhe ka të bëj me një numër të vendeve të punës që mund të shkurtohen në të ardhmen, i cili është fatëkeqsisht më i lartë se ai i punonjësve që janë larguar deri tani. Janë rreth 666 njerëz të cilët mund të largohen nga puna në muajin e ardhshëm, gjë që në total do shënonte pak më pak se 5% e të punësuarve të antarëve të AmCham. Kjo na bën të ndihemi pak të shqetësuar dhe ta monitorojmë vazhdimësinë e këtij procesi në të ardhmen.

Pyetje:

Sipas AmCham, cilat janë sektorët që e kan ndjerë më shumë krizën nga Covid-19?

Enio Jaço:

Sektorët më të prekur janë turizmi, ndërtimi, shërbimi dhe transporti. Por shqetësimi ynë më i lartë është për sektorët e turizmit dhe shërbimeve.

Pyetje:

Sipas informacionit që ju keni, derimë tani a ka shpallur ndonjë kompani falimentimin dhe nëse jo, a pritet të ndodhë kjo në ditët në vijim?

Enio Jaço:

Ky është një lajm tjetër i mirë që ne kemi pasur. Asnjë nga anëtarët tanë nuk ka shpallur falimentimin dhe asnjë prej tyre nuk e ka në plan këtë. Megjithatë nuk e përjashtoj faktin që mund të ketë edhe raste të tilla në të ardhmen.

Pyetje:

Pra nga ajo çfarë keni vëzhguar nga anketa deri tani është pozitiv fakti që nuk pritej një numër kaq i ulët.

Enio Jaço:

Ekzakt. Numri total i punonjësve që kanë humbur vendin e punës është 466. Çdo vend pune i humbur është i dhimbshëm për ne. Por duke patur pritshmëri të larta për impaktin që kjo krizë ushtron ndaj bizneseve, parashikimi ishte i lartë. Nderkohë kemi vetëm 1.9% të numrit total fuqisë punëtore që ka humbur vendin e punës në këtë moment.

Pyetje:

Zoti Jaço kush janë anëtarët e AmCham, janë kompani amerikane apo edhe shqiptare?

Enio Jaço:

Ka tre kategori kryesore të anëtarëve të Dhomës Amerikane. Në rradhë të parë janë marka (brand-e) dhe kompani të mëdha amerikane si Coca-Cola, Western Union, World Vision, Microsoft, Hilton, DHL, UPS e shumë të tjera por gjithashtu konglomerate të mëdha ndërkombëtare si Vodafone, Nokia, KPMG të cilat operojnë globalisht por në Amerikë ose që kanë struktura të rëndësishme aksionerësh në Amerikë. Por kemi edhe një kategori të tretë organizatash dhe kompanish që janë Shqiptare por kanë lidhje të rëndësishme tregtie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo aspirojnë të kenë tregëti me SHBA ose e gjejnë veten e tyre në komunitetin e AmCham për vlerat e biznesit që ne ofrojmë. Ne i mirëpresim të treja këto kategori. Kjo është mënyra tipike se si të gjitha dhomat amerikane në të gjithë botën janë të organizuara.

Pyetje:

Ju si Dhoma Amerikane e Tregtsë vetëm pak kohë më parë keni paraqitur kërkesat ndaj qeverisë për shpëtimin e bziznesit në këtë situatë krize. A ka ndonjë reflektim të shqetësimeve që ju keni paraqitur në paketën e dytë të qeverisë dhe a është e mjaftueshme.

Enio Jaço:

Unë do i kategorizoja si propozime më shumë se si kërkesa. Roli jonë është që të jemi sa me konstruktiv dhe te ofrojmë sa më shumë propozime dhe zgjidhje por edhe të ofrojmë gamën e gjerë të problemeve që bizneset tona hasin.

Për tju përgjigjur pyetjes suaj për vlerësimin për paketën 2 të qeverisë unë mendoj që duhet parë në dy këndvështrime të ndryshme. Fillimisht në lidhje me përmbajtjen e paketës dhe në rradhë të dytë në lidhje me përmasën e saj.

Sa i përket përmbajtjes, të tre porpozimet tona: ai që kishte të bënte me aksesin në kapital për kompanitë e përmasave të ndryshme në mënyrë që ato të kishin likuiditet gjatë kësaj periudhe, shtyrja e pagesës së taksave për 2020 por edhe shtrirja e të gjitha pagesave të papunësisë për punonjësit e çdo kompanie, të tre këto propozime u adresuan në paketën e dytë të qeverisë. Më duhet të them se ktu ka disa nuanca sepse janë porpozime komplekse dhe ndoshta jo 100% është adresuar në secilën nga kto por kjo është normale. Dua të them që kemi vënë re shenjat e para pozitive nga komuniteti jonë në lidhje me përdorimin e paketës.

Në rradhë të dytë, në lidhje me përmasën. Unë mendoj se përmasa e ndihmës së paketës ekonomike duhet të rritet por mënyra se si qeveria e ka strukturuar paketen do të lejojë që kjo rritje të bëhet në faza të tjera të mëvonëshme.

Pyetje:

Çfarë duhet të bëjnë bizneset tani Z. jaço në mënyrë që ti përshtaten sa më mirë kësaj situate.

Enio Jaço:

Në rradhë të parë bizneset duhet të trajtojnë problemin imediat që ato kanë, pasi përballen me një risk dhe presion të lartë në këtë periudhë të paprecedent. E para që duhet të bëjnë dhe që po e bëjnë, është të mundohen të përballojnë këtë situatë në mënyrë që të dalin me humbje dhe kosto sa më të ulët, në mënyrë që të jenë të gatshëm të rimëkëmben kur ekonomia të rihapet.

E dyta, më e rëndësihme, që disa kanë filluar ta bëjnë, është të fillojnë të mendojnë për periudhën kur ekonomia do të rihapet. Kjo do të jetë një ekonomi e cila nuk do jetë njësoj me atë më parë. Do të kemi një normalitet të ri që do funksionojë me rregulla të reja. Do të kemi legjislacion të ri,  me të cilin kompanitë duhet të përshtaten por do kemi edhe tregje që do kerkojnë produkte të tjera, mënyra të tjera funksionimi, kanale të tjera shpërndarjeje. Besoj kanalet digjitale do kenë përparësi më të lartë. Kjo do të thotë që kompanitë duhet të bëjnë gjatë kësja periudhe një adaptim mbi atë që ofrojnë. Ata që do mund ta bëjnë këtë adaptim ndoshta do përfitojnë dhe ata që do lejojnë tregun t’u imponojë rregullat e reja do e kenë më të vështirë.

Pyetje:

A keni patur gjatë kësaj periudhe komunikim me Ambasadën Amerikane?

Enio Jaço:

Ne kemi një komunikim të vazhdueshëm me Ambasadën, si për mbarëvajtjen e kompanive amerikane në Shqipëri por gjithashtu për klimën e bzinesit në mënyrë që së bashku të kontribuojmë sa më shumë në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kemi komunikuar edhe në lidhje me disa histori pozitive, kontribute që anëtarët tanë kompani amerikane kanë bërë në komunitet në ndihmë të situatës së vështirë. Do veçoja Coca-Cola që ka ndihmuar spitalin Nënë Tereza por ka edhe ndihma të tjera.

Pyetje:

Kryeministri Rama pak ditë më parë ka prezantuar amnistinë fiskale që është diskutuar edhe më herët dhe pritet të kalojë në parlament dhe do të diskutohet me grupet e interesit. Ju si e shihni atë?

Enio Jaço:

Ne nuk kemi një opinion zyrtar akoma sepse presim të shohim draft-ligjin e plotë por mendoj që ka dy parime të rëndësishme. Në rradhë të parë konsultimi me grupet e interesit dhe e dyta konsultimi me partnerët ndërkombëtarë që është me shumë rëndësi sidomos për këtë ligj. Shqipëria është pjesë e disa marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit dhe do donim që këto marrëveshje dhe progresi i deritanishëm të mos cënohet.

Pyetje:

A do të ndikojë kjo situatë në përthithjen e investimeve të huaja në Shqipëri?

Enio Jaço:

Në fakt nuk mendoj se ka një lidhje direkte. Për të qënë më i saktë, në këtë periudhë ne kemi vënë re dy tendeca të ndryshme. Në rradhë të parë, vende të pasura me fonde të mëdha në lidhje me investimet mund të kenë një tendencë të drejtohen drejt ekonomive të tyre, kjo është periudhë e vështirë për këdo. Por nga ana tjetër  ka një trend i cili tenton të shikojë oportunitete të ndryshme në vende të ndryshme, oportunitete globale. Shqipëria mbase nuk ka cfarë bën në lidhje me tendencën e parë, por mendoj që duhet të përfitojë në lidhje me tendencën e dytë.

Shqipëria gjithashtu është pak unike në këtë periudhë sepse kemi pasur vjet një tërmet i cili na la një pasojë të madhe por njëkohësisht qeveria arriti të mbledhë fonde të konsiderueshme të cilat mendoj se do ndihmojnë në lidhje me investimin. Do ishte shumë e rëndësihme që implementimi i këtyre investimeve dhe menazhimi të jetë sa më efektiv i mundshëm. Ne do ndjekim me shumë kujdes një projekt të qeverisë Amerikane, që ka të bëjë me “Akademinë e Transparencës” dhe nëse implementohet në mënyrë të suksesshme, dhe jam i bindur për këtë, unë do isha pozitiv në lidhje me pritshmëritë për investimet e huaja në shqipëri.

Pyetje:

Për kur bëhët fjalë, kur do implementohet ky project?

Enio Jaco:

Nuk jam në gjendje të them unë se kur, por sipas disa pritshmërive ndoshta në gjysmen e dytë të vitit dhe në vitin tjetër.

Pyetje:

Një koment tuajin lidhur me mënyrën si është menaxhuar kjo kohë krize në shqipëri, masat që janë marrë, si kanë ndikuar ato në opinionin tuaj?

Enio Jaço:

Unë do i ndaja në dy elemente, në pjesën shëndetësore dhe atë ekonomike. Për krizën shëndetësore unë mendoj që Shqipëria hyn tek vendet që e kanë menaxhuar atë mirë. Është e vërtetë që janë marrë masa drastike por ato kanë frenuar përhapjen e koronavirusit dhe mbajtjen e kurbës në nivele të ulta. Shqipëria për hir të së vërtetës ka nivele të ulta të incidenteve nga koronavirusi dhe kjo është një gjë e mirë për të gjithë. Në të njëjtën kohë, masat e forta për distancimin social kanë një impakt shumë të fortë në ekonomi dhe sa më të forta masat aq më i madh impakti në ekonomi. Është pak herët për të folur për menazhimin ekonomik të kësaj krize, por do jenë vendimtare në muajt e ardhshëm që ky menaxhim ekonomik i krizës të bëhet në mënyrë më të mirë të mundshme. Besoj do ketë një rihapje graduale të ekonomisë. Është e rëdnësishme të kuptojme si do bëhët kjo. E di që qeveria është duke punuar në kto momente për planin, por kjo rihapje do i ndikojë drejtpërdrejt bizneset dhe edhe ekonominë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *