Dhoma Amerikane ka zhvilluar Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë, me pjesëmarrjen e Ambasadorit të Amerikës, Eric Wendt, Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, si dhe Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, si dhe të një përfaqësie të gjerë të anëtarësisë.
Asambleja përbën një nga momentet më të rëndësishme në jetën organizative të Dhomës Amerikane, duke shërbyer si një platformë për angazhimin e komunitetit të biznesit, zgjedhjen e drejtuesve të rinj dhe përcaktimin e prioriteteve strategjike të organizatës. Fokusi në fjalët e drejtuesve të AmCham ishte në rolin e organizatës në forcimin e dialogut institucional përmes konsultimit publik dhe formave konkrete të bashkëpunimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu punës së strukturave të Dhomës për përfaqësimin e interesave të komunitetit të biznesit, si dhe kontributit të tyre në nxitjen e reformave dhe krijimin e një klime të qëndrueshme, transparente dhe konkurruese për biznesin në vend.
AmCham Albania vijon të konsolidojë rolin e saj si një urë lidhëse mes komunitetit të biznesit shqiptar dhe atij amerikan, duke përfaqësuar mbi 282 anëtarë nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ku 80% e tyre kanë lidhje me tregun amerikan. Një panoramë të punës dhe angazhimeve të Dhomës gjatë vitit 2026 prezantoi Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania, z. Neritan Mullaj, i cili vuri në dukje rolin e organizatës në forcimin e marrëdhënieve ekonomike me Amerikën, avokimin për reformat ekonomike dhe legjislative që forcojnë klimën e investimeve, një prej të cilave ishte dhe angazhimi AmCham në kuadër të mekanizmit të ri për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte. Në vëmendje të Drejtorit Ekzekutiv, por dhe Presidentit të Dhomës Amerikane, z. Van Cleve, ka qenë misioni historik në Washington, i cili synoi promovimin e potencialit dhe mundësive të investimit në Shqipëri, por dhe afirmoi Dhomën Amerikane si një aktor potencial për të zhvilluar marrëdhënie tregtare dhe investimet me partnerin strategjik, Amerikën. Dhe në fakt, eksperienca e krijuar dhe angazhimi i vazhdueshëm i Dhomës kanë hedhur themele të rëndësishme për zhvillimin e projekteve edhe më ambicioze në të ardhmen. Duke folur për prioritetet e ardhshme, z. Mullaj tha “AmCham synon të zgjerojë partneritetet me SHBA-në, të avancojë krijimin e një Qendre Arbitrazhi dhe të ngrejë dy komitete të reja për Mbrojtjen dhe Energjinë, duke hapur perspektiva të reja për komunitetin e biznesit”.
Rëndësia e këtij bashkëpunimi u vlerësua edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Eric Wendt, i cili vlerësoi kontributin e AmCham në mekanizmin e ri për shqyrtimin e investimeve të huaja dhe bëri të ditur bashkëpunimin për krijimin e një Qendre për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve Tregtare. Ambasadori theksoi rëndësinë e konkurrencës së ndershme dhe garantimit të kushteve të barabarta për kompanitë amerikane që operojnë në Shqipëri. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për një dialog të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit, me qëllim identifikimin e barrierave dhe adresimin e tyre përmes zgjidhjeve konkrete. Mesazhi i Ambasadorit drejtuar anëtarësisë së Dhomës riafirmoi angazhimin e Ambasadës Amerikane për të nxitur më shumë investime, partneritete ekonomike, mundësi punësimi dhe perspektiva të reja për të rinjtë shqiptarë.
Në fjalën e tij, Presidenti i Dhomës Amerikane, z. Grant Van Cleve, vuri në dukje jo vetëm ndikimin e AmCham në përmirësimin e klimës së biznesit në vend, por edhe angazhimin e saj në nivel rajonal. Ai theksoi rëndësinë e nismave dhe bashkëpunimeve rajonale që synojnë krijimin e një mjedisi ekonomik më të qëndrueshëm, më të integruar dhe më tërheqës për investitorët amerikanë. Sipas tij, forcimi i bashkëpunimit rajonal përbën një mundësi të rëndësishme për ta pozicionuar Shqipërinë dhe tregun rajonal si një destinacion më konkurrues për investimet amerikane.
Në vijim të diskutimeve, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, vlerësoi miratimin e kuadrit të ri rregullator për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të klimës së investimeve në Shqipëri. Ajo vuri në dukje bashkëpunimin konstruktiv me AmCham gjatë hartimit dhe konsultimit të këtij mekanizmi, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë e ligjit të ri për investimet, i cili synon të garantojë mbrojtje më të mirë dhe të rrisë atraktivitetin e Shqipërisë për investitorët vendas dhe të huaj.
Asambleja zgjedh drejtuesit e rinj të AmCham Albania
Një nga momentet më të rëndësishme të Asamblesë ishte procesi zgjedhor për plotësimin e tre pozicioneve vakante në Bordin Drejtues Zëvendëspresidenti, Thesarit dhe një Anëtar Bordi.
Zgjedhjet përfaqësojnë një moment të rëndësishëm në jetën organizative të AmCham, pasi u japin mundësi anëtarëve të shprehin vullnetin e tyre për të përcaktuar lidershipin që do të kontribuojë në drejtimin e Dhomës dhe në realizimin e objektivave të saj strategjike.
Pesë kandidatë garuan për tre pozicionet e Bordit. Në kuadër të procesit zgjedhor, secili prej tyre pati mundësinë të prezantohej përpara anëtarëve të AmCham, duke ndarë vizionin për zhvillimin e organizatës, prioritetet strategjike dhe pikat më të forta të eksperiencës dhe formimit të tyre profesional.
Në përfundim të procesit të votimit, anëtarët e Asamblesë zgjodhën:
Pozicioni për Zv. President i Bordit të AmCham Albania
Rexhino Çekrezi, Trifolium
Pozicioni për Thesarin e Bordit të AmCham Albania
Kledi Kodra, Grant Thornton
Pozicioni për Anëtar Bordi i AmCham Albania
Elton Çollaku, Financial Union Tirana / Western Union
Falënderime për sponsorët
Në përfundim, Dhoma Amerikane e Tregtisë shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e saj të veçanta për sponsorët e këtij eventi, për mbështetjen dhe kontributin e tyre në realizimin me sukses të Asamblesë së Përgjithshme.
















