• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Glosarij AL dhe kompania amerikane MSD: Një partneritet që forcon standardet e cilësisë dhe aksesin në terapitë inovative në Shqipëri

Glosarij AL dhe kompania amerikane MSD: Një partneritet që forcon standardet e cilësisë dhe aksesin në terapitë inovative në Shqipëri

Blogu, Lajme, Lajme nga antarët, Slaidet
18 November 2026
Gerta

Drejtori Ekzekutiv, z. Neritan Mullaj i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri zhvilloi një vizitë në ambientet e Glosarij AL, anëtare e Dhomës, për t’u njohur nga afër me aktivitetin e kompanisë, investimet në infrastrukturën farmaceutike dhe bashkëpunimin e saj me MSD (Merck Sharp & Dohme), një nga kompanitë lider të industrisë farmaceutike amerikane. Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Dhomës, u njohën me organizimin e aktivitetit të kompanisë, infrastrukturën moderne të magazinimit dhe shpërndarjes, si dhe sistemet e kontrollit dhe monitorimit që garantojnë ruajtjen e produkteve farmaceutike në përputhje me standardet e kërkuara të cilësisë dhe sigurisë.

Një fokus i veçantë iu kushtua bashkëpunimit të Glosarij AL me MSD, kompani amerikane me një aktivitet të konsoliduar në kërkimin shkencor, zhvillimin e barnave dhe terapive inovative. Ky partneritet përfaqëson një shembull konkret të rolit që bashkëpunimi ndërmjet kompanive shqiptare dhe ndërkombëtare mund të luajë në zhvillimin e sektorit farmaceutik dhe në përmirësimin e aksesit të pacientëve shqiptarë në produkte dhe trajtime bashkëkohore.

Si një kompani e specializuar në importin dhe shpërndarjen me shumicë të produkteve farmaceutike dhe pajisjeve mjekësore, Glosarij AL ka investuar në infrastrukturë dhe procese operacionale që synojnë garantimin e integritetit të produkteve përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit. Respektimi i kërkesave rregullatore, kontrolli i kushteve të ruajtjes dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare janë elemente thelbësore të këtij aktiviteti, veçanërisht në një sektor ku cilësia dhe siguria lidhen drejtpërdrejt me shëndetin e pacientëve. Vizita shërbeu gjithashtu si një mundësi për të diskutuar mbi zhvillimet dhe perspektivat e sektorit farmaceutik në Shqipëri, rëndësinë e partneriteteve afatgjata dhe nevojën për të krijuar kushte që mbështesin sjelljen në treg të produkteve dhe terapive inovative.

AmCham Albania e konsideron zhvillimin e sektorit të shëndetësisë dhe farmaceutikës një pjesë të rëndësishme të dialogut me komunitetin e biznesit. Përmes kontakteve të drejtpërdrejta me kompanitë anëtare, Dhoma synon të njohë më mirë investimet, sfidat dhe mundësitë e sektorëve të ndryshëm, duke nxitur shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Eksperienca e Glosarij AL dhe partneriteti i saj me MSD dëshmojnë rëndësinë e investimeve në cilësi, infrastrukturë dhe inovacion, si dhe potencialin e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan për të mbështetur zhvillimin e një tregu farmaceutik më modern dhe më të orientuar drejt nevojave të pacientëve.

You may also like