• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Karta UPay, më shumë lehtësi dhe siguri në pagesat e përditshme

Karta UPay, më shumë lehtësi dhe siguri në pagesat e përditshme

Blogu, Lajme nga antarët
17 November 2026
Gerta

Union Financiar Tiranë ka zgjeruar shërbimet e platformës UPay me një kartë debiti Mastercard që mund të përdoret në Shqipëri dhe jashtë vendit, për blerje online dhe pagesa në pika tregtare, duke u ofruar përdoruesve më shumë fleksibilitet dhe kontroll mbi financat personale.

Pagesat me kartë dhe blerjet online janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë, ndërsa konsumatorët kërkojnë mënyra gjithnjë e më praktike dhe të sigurta për të përdorur paratë e tyre. Në përgjigje të këtyre nevojave, Union Financiar Tiranë (UFT) ka zhvilluar Kartën UPay, një produkt që zgjeron funksionalitetin e aplikacionit dhe mundëson akses më të lehtë në pagesat digjitale.

Karta UPay është një kartë debiti Mastercard, e lidhur drejtpërdrejt me llogarinë e përdoruesit në aplikacion. Ajo mundëson pagesa në pika tregtare dhe online, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në rrjetin global të Mastercard. Për përdoruesit, kjo përkthehet në më shumë komoditet në blerjet e përditshme dhe gjatë udhëtimeve, pa pasur nevojë të mbajnë vazhdimisht para fizike me vete.

Një nga veçoritë kryesore është integrimi me aplikacionin UPay, përmes të cilit kartëmbajtësit marrin njoftime të menjëhershme për transaksionet dhe mund të ndjekin aktivitetin e tyre financiar. Kjo u jep mundësi të monitorojnë shpenzimet dhe të kenë më shumë kontroll mbi përdorimin e fondeve. Gjithashtu, karta mund të integrohet me Google Wallet, duke mundësuar pagesa pa kontakt përmes telefonit, në terminalet që mbështesin këtë funksionalitet.

Pajisja me kartë është një proces i thjeshtë, pasi aplikimi kryhet drejtpërdrejt nga aplikacioni, pa qenë e nevojshme paraqitja në sportel. Pas aktivizimit të llogarisë UPay, përdoruesi mund të aplikojë për kartën, e cila dërgohet në adresën e tij.

Një tjetër veçori me rëndësi është se përdorimi i Kartës UPay nuk kërkon domosdoshmërisht një llogari bankare tradicionale. Përdoruesit mund të furnizojnë llogarinë e tyre nëpërmjet rrjetit të pikave Unionnet – Western Union, duke pasur kështu akses në pagesat me kartë dhe blerjet online.Ky proces mbështetet edhe nga funksionaliteti UPay “Full Digital Onboard”, i cili mundëson regjistrimin, identifikimin dhe aktivizimin e llogarisë tërësisht online, përmes aplikacionit UPay Albania.

Zhvillimi i Kartës UPay është rezultat i bashkëpunimit strategjik ndërmjet Union Financiar Tiranë, Union Bank dhe PayLink, duke ndërthurur ekspertizën financiare dhe bankare me infrastrukturën teknologjike të pagesave. Ky bashkëpunim është një shembull konkret i ndërveprimit mes sektorit bankar dhe industrisë fintech për zhvillimin e produkteve që zgjerojnë mundësitë e konsumatorëve në tregun e pagesave.

You may also like