Dhoma Amerikane me mbështetjen e Programit për Zhvillimin e së Drejtës Tregtare të Departamentit Amerikan të Tregtisë, po punon për krijimin e një Qendre për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve, me fokus arbitrazhin dhe ndërmjetësimin tregtar. Kjo nismë synon të ofrojë një mekanizëm profesional dhe të besueshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare, duke u mundësuar bizneseve të zgjedhin alternativa efikase dhe më pak të kushtueshme sesa proceset tradicionale gjyqësore.
Qendra synon të shërbejë si një pikë referimi për promovimin dhe përdorimin e arbitrazhit dhe ndërmjetësimit tregtar, duke nxitur zgjidhjen efikase të mosmarrëveshjeve, forcimin e besimit ndërmjet palëve dhe zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare. Kjo nismë përfaqëson një hap drejt krijimit të një mjedisi biznesi më të parashikueshëm dhe transparent, në të cilin kompanitë mund të përqendrohen tek investimet dhe krijimi i vlerës.
Modeli i propozuar i Qendrës, i konceptuar për t’iu përgjigjur nevojave konkrete të bizneseve dhe investitorëve të huaj, synon të sjellë vlerë të shtuar në klimën e biznesit në Shqipëri. Përmes kësaj nisme, Dhoma Amerikane synon të kontribuojë në forcimin e sigurisë juridike, rritjen e besimit të investitorëve dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit.

