• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • AmCham organizon Fokus Grup mbi zbatimin e mekanizmit të shqyrtimit të investimeve të huaja direkte

AmCham organizon Fokus Grup mbi zbatimin e mekanizmit të shqyrtimit të investimeve të huaja direkte

Blogu, Lajme, Slaidet
14 July 2026
Gerta

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, me mbështetjen e Center for International Private Enterprise (CIPE), organizoi një fokus grup mbi zbatimin e mekanizmit të shqyrtimit të investimeve të huaja direkte, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve publike, komunitetit të biznesit, organizatave të biznesit dhe ekspertë të fushës për të diskutuar sfidat dhe praktikat më të mira të zbatimit të këtij kuadri rregullator.

Në fjalën e hapjes, Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj, theksoi se krijimi i një mekanizmi funksional për shqyrtimin e investimeve të huaja përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përafrimit të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.

Dhoma Amerikane e sheh këtë proces si një instrument që forcon sigurinë, pa krijuar barriera të panevojshme për investitorët. Qëllimi ynë është të identifikojmë çështjet që kërkojnë qartësi gjatë zbatimit të rregullores dhe të kontribuojmë me rekomandime konkrete,” u shpreh z. Mullaj.

Sesioni u drejtua nga Albana Karapanço, eksperte ligjore, e cila prezantoi kuadrin rregullator, mekanizmat kryesorë të shqyrtimit të investimeve të huaja direkte dhe zhvillimet më të fundit në legjislacionin evropian.

Gjatë diskutimit, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, kompanive anëtare të AmCham dhe ekspertë të fushës ndanë përvojat e tyre dhe ngritën çështje që lidhen me procedurat praktike të zbatimit të mekanizmit. Diskutimet u fokusuan te roli i institucioneve përgjegjëse, procedurat e shqyrtimit, afatet administrative, identifikimi i investimeve që i nënshtrohen mekanizmit, si dhe nevoja për akte zbatuese që garantojnë qartësi dhe siguri juridike për investitorët.

Pjesëmarrësit sollën gjithashtu praktika nga vendet e Bashkimit Evropian dhe juridiksione të tjera, duke evidentuar modele që mund të shërbejnë si referencë për zbatimin efektiv të mekanizmit në Shqipëri.

Në përfundim, AmCham Albania ritheksoi angazhimin e saj për të vijuar dialogun institucional me Ministrinë e Ekonomisë dhe komunitetin e biznesit, me synimin për të mbështetur zhvillimin e një kuadri zbatues sa më të qartë, të parashikueshëm dhe në përputhje me praktikat më të mira evropiane. 

Në vijim të këtij procesi, AmCham do të organizojë një fokus grup të dytë, me synimin për të konsoliduar gjetjet dhe praktikat më të mira të identifikuara, të cilat do të shërbejnë si bazë për hartimin e një udhëzuesi praktik mbi zbatimin e mekanizmit.

You may also like