• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Studentët e Universitetit të Cincinnati, USA, vizitojnë sërish AmCham në kuadër të turit të tyre në Shqipëri

Studentët e Universitetit të Cincinnati, USA, vizitojnë sërish AmCham në kuadër të turit të tyre në Shqipëri

Blogu, Slaidet
11 May 2026
Gerta

Për të dytin vit radhazi, Dhoma Amerikane mirëpriti studentët e Universitetit të Cincinnati-t, USA, në kuadër të turit të tyre studimor në Shqipëri, duke konfirmuar interesin në rritje të këtij grupi akademik për të kuptuar më nga afër klimën e biznesit në vend dhe zhvillimet me tregun amerikan. Pas vizitës së zhvilluar një vit më parë, studentët zhvilluan, përmes pyetjeve, një diskutim interesant me përfaqësuesit e Dhomës Amerikane mbi sfidat, mundësitë dhe perspektivën ekonomike të Shqipërisë.

Drejtori i AmCham Albania, z. Neritan Mullaj, si dhe Përgjegjësi për Thesarin në Bordin e AmCham, z. Kledi Kodra, ndanë me studentët dhe pedagogët një panoramë të zhvillimeve ekonomike në vend, rolin e Dhomës Amerikane në forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe investimeve mes Shqipërisë dhe Amerikës, si edhe kontributin e saj në përmirësimin e klimës së biznesit.

Gjatë prezantimit, z. Mullaj u ndal veçanërisht te puna që AmCham zhvillon përmes komiteteve, në funksion të promovimit të reformave dhe adoptimit të praktikave më të mira ndërkombëtare. Ai theksoi se sot Dhoma Amerikane përfaqëson rreth 270 kompani anëtare nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe mbetet një zë i rëndësishëm i komunitetit të biznesit në Shqipëri. Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet publike dhe partnerët ndërkombëtarë, AmCham kontribuon në krijimin e një mjedisi më konkurrues, më transparent dhe më të favorshëm për investitorët vendas dhe të huaj.

Në diskutim u evidentua gjithashtu potenciali që ofron Shqipëria si një treg i vogël, por dinamik, me avantazhe të rëndësishme konkurruese, si pozicioni strategjik gjeografik, popullsia e re, kostot konkurruese dhe procesi i integrimit europian. Studentët u njohën me mundësitë që paraqesin sektorë si teknologjia, turizmi, energjia dhe infrastruktura. Takimi preku gjithashtu tema që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, sektorët prioritarë për investime, interesin e investitorëve të huaj dhe progresin që Shqipëria po bën në procesin e përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe sfidave që shoqërojnë tregjet në zhvillim, përfshirë nevojën për më shumë qartësi rregullatore, forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e transparencës institucionale. Përfaqësuesit e AmCham theksuan se avokimi për përmirësimin e klimës së biznesit dhe krijimin e një mjedisi më të parashikueshëm për investitorët mbetet një nga prioritetet kryesore të organizatës.

Vizita e studentëve të Universitetit të Cincinnati-t në Shqipëri synon t’u ofrojë atyre një kuptim më të thelluar të ndikimit që mjediset sociale, politike, ligjore dhe financiare kanë në vendimmarrjen e ekzekutivëve të biznesit dhe mënyrën se si kompanitë përballen me sfidat e përditshme në tregje në zhvillim. Në këtë kontekst, Dhoma Amerikane, me eksperiencën 25-vjeçare dhe rolin aktiv në formësimin e politikave që ndikojnë klimën e biznesit, i jep një mundësi të veçantë komunikimi studentëve.

You may also like