• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Forcimi i zinxhirit të furnizimit, Programi Move Up avancon me modulin mbi transportin dhe shpërndarjen

Forcimi i zinxhirit të furnizimit, Programi Move Up avancon me modulin mbi transportin dhe shpërndarjen

Blogu, Lajme, Slaidet
24 April 2026
Gerta

Në kuadër të Programit Move Up, IFC dhe Dhoma Amerikane organizuan modulin e katërt të fokusuar në menaxhimin e transportit dhe shpërndarjes. Ky sesion synoi të forcojë aftësitë e pjesëmarrësve në planifikimin, menaxhimin dhe optimizimin e operacioneve të transportit dhe shpërndarjes.

I drejtuar nga trajnerja Cristina Radu, trajnimi u ofroi bizneseve njohuri praktike mbi përzgjedhjen e mënyrave më të përshtatshme të transportit, menaxhimin efikas të kostove si dhe sigurimin e dorëzimit në kohë dhe me kosto. Sesioni ndërthuri perspektivën operacionale dhe strategjike, duke ndihmuar pjesëmarrësit të kuptojnë më mirë se si të përmirësojnë performancën e shpërndarjes, të minimizojnë mungesën e efiçencës dhe të reagojnë në kohë dhe me cilësi ndaj pritshmërive në rritje të klientëve në tregje gjithnjë e më konkurruese.

Gjatë trajnimit u trajtuan tema kyçe, si:

  • Strategjitë e përzgjedhjes së mënyrave të transportit (rrugor, hekurudhor, detar, ajror dhe ndërmodal)
  • Menaxhimi i dërgesave dhe operatorëve të transportit
  • Planifikimi dhe programimi i transportit
  • Dizejnimi dhe menaxhimi i rrjeteve të shpërndarjes
  • Teknologjitë e menaxhimit të transportit
  • Treguesit kyç të performancës në transport dhe shpërndarje
  • Pritshmëritë e shërbimit ndaj klientit, veçanërisht në përmbushjen e porosive dhe performancën e dorëzimit

Ky modul synoi të pajisë pjesëmarrësit me mjete praktike dhe njohuri për ndërtimin e sistemeve më të besueshme, fleksibël dhe efikase të transportit dhe shpërndarjes. Gjithashtu, ai kontribuoi në përmirësimin e vendimarrjes dhe rritjen e cilësisë së shërbimit përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit.

Në veçanti, trajnimi ofroi njohuri të vlefshme për operimin në tregun e Bashkimit Europian, ku konkurrenca është e fortë dhe përputhshmëria me rregulloret është thelbësore. Duke forcuar këto kompetenca, pjesëmarrësit janë më të përgatitur për të përballuar sfidat e tregut dhe për të rritur performancën e tyre operacionale.

You may also like