• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Dhoma Amerikane në bashkëpunim me firmën juridike “Nonaj Law” në New York flasin për tregun amerikan, sfidat, mundësitë dhe përqasjet strategjike për bizneset shqiptare

Dhoma Amerikane në bashkëpunim me firmën juridike “Nonaj Law” në New York flasin për tregun amerikan, sfidat, mundësitë dhe përqasjet strategjike për bizneset shqiptare

Blogu, Publikimet, Slaidet
31 March 2026
Gerta

Dhoma Amerikane u mbështet në njohuritë dhe ekspertizën e z. Altin Nonaj, themelues i firmës ligjore Nonaj Law dhe Profesor i Asociuar në Fordham University School of Law në New York, për organizimin e Forumit të Biznesit “Zgjerimi i biznesit në Shtetet e Bashkuara, mundësitë dhe strategjitë.” Aktiviteti, i konceptuar për të ofruar udhëzime praktike dhe ndarë njohuri për kompanitë shqiptare që konsiderojnë zgjerimin e biznesit të tyre në tregun amerikan, u drejtua nga z. Nonaj, i cili solli elementë të rëndësishëm të legjislacionit amerikan përmes shembujve praktikë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania, z. Neritan Mullaj, theksoi se një nga objektivat kryesore të Dhomës Amerikane është zhvillimi i marrëdhënieve tregtare dhe biznesit me Shtetet e Bashkuara dhe forumi ofron informacion të vlefshëm për anëtarët që synojnë këtë treg, duke marrë informacione praktike mbi taksat, llojet e kategorive të biznesit, sektorët dhe specifikat.

Duke u ndaluar në aspektet që individët dhe sipërmarrësit duhet të marrin në konsideratë kur vendosin të hyjnë në tregun amerikan, z. Nonaj u përqendrua në kuadrin rregullator për hapjen e një biznesi në SHBA, vendet me politika fiskale më të favorshme për hapjen e një biznesi, si dhe opsionet midis regjistrimit të një biznesi apo blerjes së një biznesi ekzistues.

Sistemi ligjor amerikan, i ndërtuar mbi doktrinën e ”common law”, ndryshon ndjeshëm nga sistemi evropian dhe mbart specifikat e veta. Për këtë arsye, angazhimi i një eksperti ligjor është thelbësor për të siguruar një fillim të suksesshëm. Z. Dritan Mishto, një nga juristët e firmës Nonaj, gjatë diskutimit me pjesëmarrësit, shpjegoi se përse është e rëndësishme që bizneset të mbështeten tek një këshilltar i besueshëm që i orienton në mënyrë të saktë gjatë ndërtimit të marrëdhënieve të biznesit në Shtetet e Bashkuara.

Z. Nonaj ofroi gjithashtu një pasqyrë të plotë mbi kulturën e punës dhe kuadrin ligjor që rregullon marrëdhëniet e punës në SHBA. Ai trajtoi elementë thelbësorë si kontratat e punës, të drejtat dhe detyrimet e punëdhënësve dhe punëmarrësve, si dhe rëndësinë e respektimit të rregullave që lidhen me barazinë gjinore, racore, moshën dhe kategori të tjera të mbrojtura. Përmes shembujve praktikë, ai evidentoi aspektet ku punëdhënësit duhet të tregojnë kujdes të veçantë gjatë lidhjes së kontratave të punës.

Një tjetër pjesë me interes të lartë ishte ajo mbi procesin e vizave, si dhe të drejtat dhe detyrimet që burojnë prej tyre, qoftë për hapjen e një biznesi apo për punësim në SHBA. Kjo temë ngriti pyetje të shumta, pasi përbën një hap të domosdoshëm për këdo që synon të ndërtojë një karrierë apo të zhvillojë një aktivitet biznesi në Shtetet e Bashkuara.

Informacioni i ndarë në takim nxiti një diskutim aktiv mes pjesëmarrësve, të cilët përmes pyetjeve kërkuan të njohin perspektivën profesionale të avokatit Nonaj mbi sektorët ku bizneset shqiptare mund të pozicionohen me sukses në tregun amerikan. Z. Nonaj ofroi jo vetëm këndvështrimin juridik, por edhe një qasje praktike të mbështetur në përvojën konkrete të rasteve që ka ndjekur. Ai theksoi gjithashtu se, sipas statistikave, në New York janë të regjistruar mbi 250,000 shqiptarë të punësuar, një shifër që mendohet të jetë edhe më e lartë në realitet, duke evidentuar sektorët ku komuniteti shqiptar ka arritur sukses të dukshëm, si ndërtimi, shërbimet e restoranteve dhe tregtia e produkteve ushqimore.

You may also like