Takimi i parë i Komitetit Digjital në AmCham, jo vetëm shërbeu për të prezantuar lidershipin dhe anëtarët e rinj por ishte një moment i rëndësishëm për të ndarë vizionin dhe përcaktuar prioritetet që do të sjellin një ndikim në zhvillimet digjitale në vend.
Takimi u drejtua nga Kryetari Genti Daci nga MADCOM dhe Nënkryetari Dhimitër Shuli nga BetaBalkanTeam me prezencën e një numri të lartë anëtarësh të cilët kanë demonstuar interesin e madh në lidhje me zhvillimet teknologjke e digjitale dhe rolin që mund të luajnë duke sjellë ekspertizën e tyre. Takimi është përshëndetur nga Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj i cili ka theksuar rëndësinë që po i kushton Dhoma Amerikane proceseve teknologjike dhe adoptimit të tyre nga bizneset.
Anëtarët e Komitetit kanë diskutuar mbi fushat më të rëndësishme ku duhet të përqëndrohet vëmendja e tyre për të sjellë përmes angazhimit, rezultate të matshme dhe ndikim në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator në Shqipëri. Anëtarët theksuan se pasiguritë ligjore dhe rregulloret e vjetra impaktojnë zhvillimin e biznesit, dhe Komiteti mund të luajë një rol të rëndësishëm si një zë i fortë i sektorit privat në këtë proces.
Në të njëjtën kohë, u theksua nevoja për tu angazhuar me institucionet shtetërore në ndërtimin e një dialogu konstant përmes tryezave të rrumbullakëta, takimeve dhe rekomandimeve konkrete. Komiteti synon të kontribuojë në formësimin e politikave dhe rregulloreve që lidhen me digjitalizimin, duke ndihmuar kështu në krijimin e një mjedisi më transparent dhe të parashikueshëm për bizneset.
Në takimin e parë u përcaktuan disa hapa strategjikë që do të udhëheqin punën e Komitetit. Këto përfshijnë promovimin e teknologjive amerikane dhe perëndimore, krijimin e mundësive për investime në sektorin e teknologjisë, si dhe forcimin e ekspertizës së anëtarëve të AmCham në fusha si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike dhe qeverisja e të dhënave. Të gjitha këto do të materializohen në një program pune dyvjeçar, i cili do të përkthehet në aktivitete konkrete dhe nisma që synojnë ta bëjnë transformimin digjital një realitet të prekshëm për bizneset shqiptare.