Intervistë me z. Elton Çollaku, Administrator i Union Financiar Tiranë
-
Union Financiar mbushi 25 vjet në tregun shqiptar të shërbimeve financiare. Cilat janë sukseset që mbushin historinë e saj dhe si ka evoluar biznesi juaj gjatë këtij çerek shekulli?
Union Financiar Tiranë lindi në vitet e para të tranzicionit, si bashkëshoqërues i familjes shqiptare, në këto vite të vështira. Fillimet e biznesit lidhen ngushtësisht me shërbimin e transfertave të parave Western Union. Pikërisht, nevoja e spikatur e familjeve shqiptare, për një urë lidhëse me të afërmit emigrantë, na nxiti për të kërkuar këtë bashkëpunim me Western Union, gjigandin e transfertave të parave. Natyrisht, si për çdo biznes dhe veçanërisht për aktivitetin tonë specifik të transfertave të parave, fillimi ka qenë i vështirë, me sfida e këmbëngulje për të përmbushur misionin tonë, të sjellim pranë familjeve shqiptare, mbështetjen e të dashurve të tyre, që u larguan jashtë atdheut për një jetë më të mirë.
Aktualisht UFT operon rrjetin më të madh të pikave që ofrojnë shërbime financiare në vend, me mbi 600 agjenci Unionnet – Western Union anembanë Shqipërisë. Me kalimin e viteve dhe, duke pasur një bazë të mirë agjencish në të gjithë vendin, ne vijuam të rrisim gamën e shërbimeve financiare në pikat tona. Sot, klientët tanë gjejnë në agjencitë Unionnet – Western Union mbi 50 produkte e shërbime të ndryshme.
Nga viti 1998, kompania filloi shtrirjen në vendet e rajonit, duke nisur me hapjen e aktivitetit në Maqedoninë e Veriut dhe një vit më pas, në Kosovë. Ndër vite, kjo shtrirje u pasurua edhe me vende të tjera. Sot, UFT operon në 5 shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Zvicër dhe Kroaci, duke qenë njëkohësisht, partner i rëndësishëm i Western Union.
Me gjithë zgjerimin rajonal e më gjerë, vëmendja jonë ka qenë gjithmonë të cilësia e shërbimit. Ne kujdesemi që shërbimi ynë të jetë i unifikuar në çdo agjenci.
Për këtë, agjentët dhe vetë stafi i agjencive Unionnet – Western Union trajnohen dhe testohen periodikisht, për të përmbushur në çdo moment kërkesat e kryerjes së shërbimit me shpejtësinë, saktësinë dhe besueshmërinë e duhur. Kjo përgatitje na ka shpërblyer ndër vite me disa çmime ndërkombëtare për shërbimin Western Union.
Në 10-vjeçarin e dytë të aktivitetit tonë, tashmë me një biznes të konsoliduar në fushën e shërbimit të transfertave të parave, u krijua mundësia për të marrë pjesë edhe në nisma të tjera biznesi. Kështu, në vitin 2006, UFT themelon Union Bank, si bankë me kapital 100% shqiptar. Vetëm 6 vjet më vonë, u krijua PayLink, një kompani e teknologjisë dhe procesimit të pagesave ndërbankare, po nga investimi 100% i UFT.
Në planet tona afatgjata, kontributi ynë do të vazhdojë të mbështesë të tjera nisma e sipërmarrje në Shqipëri e më gjerë.
-
Cili ka qenë ndikimi i grupit në ekonominë e vendit përgjatë këtyre 25 viteve?
Sot në kompanitë tona punojnë rreth 1000 profesionistë e personel mbështetës dhe për vetë industrinë ku jemi aktivë, kemi të bëjmë me paga të nivelit të lartë. Xhiroja që kompanitë e grupit të UFT apo të Union Grup realizojnë, është në një nivel diçka më pak se 1% e GDP së vendit. Për gjithë këto 25 vite, të gjitha kompanitë kanë qenë në mënyrë të vijueshme, jo vetëm nga kompanitë më konsistente në pagesën e taksave, por kanë pasur gjithmonë një element të kontributit social në komunitet.
Për vetë pozicionin që kemi pasur në fushën e shërbimeve financiare gjatë këtyre 25 viteve, po aq të rëndësishme, kanë qenë elementet e zhvillimit që shërbimet, të cilat ne ofrojmë, kanë promovuar në Shqipëri. Jo vetëm mundësimi i remitancave është një kontribut zhvillimi për vendin, por edhe kreditimi i individëve apo i kompanive tregtare e prodhuese është një element që promovon zhvillim. Po njësoj është novacioni teknologjik në fushën e pagesave që UFT, apo PayLink, kanë në misionin e tyre. Është një promotor i eficiencës dhe indirekt, një mundësues i përfitimit të zhvillimit teknologjik nga palët e treta, që i përdorin këto shërbime pagesash. Kjo më bën realisht krenar dhe ndihemi të privilegjuar që kemi këtë rol të dyfishtë në promovimin e zhvillimit të vendit, jo vetëm me krijimin e punësimit në kompanitë tona, por dhe me anë të vetë ofrimit të shërbimeve prej tyre.
-
Si e vlerësoni ciklin e remitancave, si ka ndryshuar ai në 25 vjet?
Si fenomen i lidhur në mënyrë të padiskutueshme me emigracionin, ecuria dhe cikli i remitancave, lidhet drejtpërdrejt me trendet migratore të një vendi, ku nivelet e larta të emigrimit shoqërohen me flukse monetare remitancash, të cilat dërgohen nga emigrantët për të mbështetur familjarët dhe të afërmit në vendet e origjinës. Ndërkohë me kalimin e viteve dhe me inkuadrimin e kësaj kategorie (emigrantëve) në jetën dhe shoqërinë e vendit ku kanë emigruar, vërehet një lloj stabiliteti i remitancave dhe madje rënie të tyre me kalimin e viteve (zakonisht ky është një cikël 10-15-vjeçar).
Edhe në Shqipëri është vërejtur i njëjti fenomen, ku trendi i flukseve të emigracionit shqiptar në vendet perëndimore pas viteve 1990 është shoqëruar me trende rritëse të flukseve hyrëse të remitancave, duke përjetuar edhe ciklet e rritjes, maturimit dhe të ringritjes në rastet e flukseve të reja migratore. Rrjedhimisht, remitancat kanë luajtur dhe ende vijojnë të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendit tonë. Mjaftojmë të përmendim në këtë pikë nivelin e konsiderueshëm të remitancave në GDP-në e Shqipërisë, në një mesatare prej 10% gjatë viteve, apo faktin që ende rreth 25% e familjeve shqiptare varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mbështetja që u dërgohet në mënyrë të rregullt prej të afërmeve në emigracion në 25 vitet e fundit.
-
Pandemia ka patur efektin e vet mbi ekonominë e vendit, po mbi Unionin Financiar?
Pandemia erdhi si një fenomen i papritur që shumë shpejt mori përmasa globale. Në fillimet e saj, ishin të shumta paqartësitë dhe pikëpyetjet që shoqërojnë natyrshëm situata të tilla. Gjithsesi, edhe në këto kushte, Union Financiar Tiranë mori në kohë masat e duhura për t‘i paraprirë rrethanave dhe zhvillimeve që pasuan në përgjigje të përhapjes së virusit edhe në vendin tonë. Ne u kujdesëm për të mbrojtur stafin dhe bashkëpunëtorët tanë, që nga ditët e para të kësaj pandemie. Proceset e punës u përshtatën në mënyrë të tillë që impakti në biznes të ishte i papërfillshëm.
Megjithatë, javët dhe muajt e parë të pandemisë patën një impakt negativ edhe për ne, ashtu si dhe për shumë kompani të tjera në vend dhe në mbarë botën. Por, në asnjë moment UFT nuk planifikoi shkurtim të stafit apo pagave të tyre. Union Financiar Tiranë i ka kushtuar gjithmonë një vëmendje të veçante edukimit dhe rritjes profesionale të punonjësve, ndaj edhe gjatë kësaj periudhe, fokusi ynë është drejtuar në krijimin e kushteve të duhura për stafin tonë, si për ata që punojnë në distancë me efiçiencë të plotë, ashtu edhe për atë pjesë të stafit që duhet të punojë fizikisht në zyrat e kompanisë, duke iu ofruar atyre ambiente të sigurta e me kushte optimale.
Kështu, ne arritëm të ruajmë trendet e parashikuara të biznesit për periudhën në vijim në të gjithë grupin e kompanive financiare.
-
Cilat janë planet dhe pritshmëritë tuaja për të ardhmen?
Detyra e çdo kompanie që ofron shërbime, përfshirë këtu dhe Union Financiar Tiranë, është që të përshtatet me kushtet e tregut, në mënyrë që t’u përgjigjet kërkesave të konsumatorëve dhe klientëve të saj. Në këto kushte Union Financiar Tiranë vazhdon të ecë me hapa konkretë, duke mundësuar:
- Ofrimin e një game sa më të gjerë produktesh për klientët e kompanisë, pra duke pasur një portofol sa më të diversifikuar produktesh dhe shërbimesh.
- Ofrimin e shërbimit në një rrjet sa më kapilar, duke ju gjendur pranë konsumatorëve tradicionalë kudo dhe me një mundësi zgjedhjeje të gjerë.
- Ofrimin e shërbimeve dixhitale online. Në këtë drejtim, si Western Union ashtu edhe kompania jonë, ka mundësuar prej kohësh shërbimet online të transfertave të parave, sikurse dhe shërbime të tjera të cilat lançohen në mënyrë të vazhdueshme për klientët tanë dhe/ose janë në proces. Ofrimi i këtyre shërbimeve gjithmonë shoqërohet me tarifa edhe më ekonomike, duke mundësuar që Western Union të jetë lider në tregun e remitancave.
Mendoj që aplikimi i kësaj strategjie do të jetë i domosdoshëm për të vazhduar dhe në të ardhmen, për të ruajtur dhe rolin e kompanisë sonë si lider në tregun e ofrimit të shërbimeve financiare në Shqipëri.