Dhoma Amerikane e Tregtisë shpreh shqetësimin e thellë për dëmin e shkaktuar ndaj një investimi amerikan në qytetin e Korçës, konkretisht kompanisë ABCom, e cila vlerëson një dëm ekonomik prej 100 mijë euro si pasojë e aktit vandal të shkatërrimit të rrjetit kabllor, që do të mundësonte fillimin e transmetimeve në këtë qytet.
Ne mendojmë se është përgjegjësi e autoriteteve vendore, por dhe atyre qendrore, që të hetojnë me urgjencë mbi ngjarjen dhe të vendosin përgjegjësit përpara ligjit, si e vetmja mënyrë për të ruajtur investimet e huaja dhe për të mbrojtur reputacionin e vendit dhe shtetit ligjor përpara këtyre investitorëve.
Dhoma Amerikane e Tregtisë beson se është përgjegjësia e qeverisë të krijojë një klimë të qëndrueshme për investimet e huaja, duke filluar nga elementët më bazë të sigurisë dhe mbarëvajtjes e deri tek ato ligjorë e ekonomikë.
Klima pozitive e investimeve në vend, si një faktor kyç për thithjen e investimeve të huaja dhe konkretisht atyre amerikane, është një nga objektivat themelore të Dhomës Amerikane. Për këtë arsye, ne e gjejmë me vend të ngremë zërin tonë për situatën me të cilën po përballet kompania ABCom, jo vetëm në kuadrin e dëmtimit që i është shkaktuar një investimi amerikan, por për gjithë zinxhirin e humbjeve që sjell ky akt, që nga vendet e punës që do krijoheshin dhe taksat që do t’i paguheshin shtetit e deri tek zhvillimet dhe përfitimet vendore ekonomike që do të sillte ky investim.
Ne besojmë dhe shpresojmë se të gjitha këto argumente janë të mjaftueshme për autoritet vendore dhe qendrore që të vihen në lëvizje dhe të ndihmojnë për normalizimin e situatës dhe zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit në mënyrë të menjëhershme në këtë rast apo dhe në çdo situatë tjetër që mund të ndikojë mbi mbarëvajtjen e investimeve në vend.