Dhoma Amerikane ka vazhduar traditën e takimit me Drejtorinë e Tatimeve dhe të diskutimit të hapur të cështjeve që shqetësojnë biznesin në lidhje me administratën tatimore. Takimi kishte në fokus cështje të rëndësishme për biznesin si problematikat me bllokimin e llogarive bankare nga drejtoritë e mbledhjes së borxhit, problematikat në sistemin informatik e deri tek rimbursimi i TVSH – së. Forumi i Biznesit ka shërbyer edhe si një tryezë diskutimi për cështje themelore të zhvillimit të klimës si biznesit si efikasiteti i sistemit tatimor, apo harmonizimi i ligjeve tatimore me standartet e raportimit financiar si ato kombëtare dhe ato ndërkombëtare.
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, z. Enio Jaço theksoi rëndësinë e modernizimit të sistemit të taksave, i cili duhet të garantojë qëndrueshmëri, besueshmëri dhe të jetë tërheqës për investimet e huaja. Z. Jaco tha se për rritjen e investimeve jo vetëm amerikane por edhe të huaja është me rëndësi adresimi i klimës së biznesit dhe një nga shtyllat është sistemi tatimor.
“Investitorët e gjejnë të vështirë të planifikojnë në plan afatgjatë nëse kemi një ndryshim, frekuent, kjo e bën këtë sistem jo atraktiv. Ne mendojmë që ka nevojë për Reformimin dhe Modernizimin e Sistemit të Taksave ” tha Jaço.
Z, Jaco theksoi tre elementë të rëndësishëm që janë kritike dhe duhet të marin zgjidhje, ndryshimi i shpeshtë i taksave, modernizimi i sistemit me standartet IFRS dhe informaliteti e evazioni fiskal.
“Standartet IFRS duhet të reflektohen në ligj,unë po marr një statistikë, ligji i tatimeve është krijuar në vitin 1998. Sigurisht që ka marrë disa riparime ndër vite, por është një ligj shumë i vjetër, i cili nuk e ka strukturën moderne të raportimit financiar ndërkombëtar dhe si i tillë lejon hapësira të cilat janë relativisht të pamenaxhueshme dhe konfuze për bizneset” – u shpreh z.Jaco gjatë takimit.
Në lidhje me cështjet e trajtuara nga Presidenti Jaco, znj. Ibrahimaj u shpreh se ka filluar tashmë një reformë e thellë për reformatimin e sistemit fiskal për ta përditësuar dhe me standartet e reja kontabël dhe ato financiare dhe kjo reformë do të jetë objekt i diskutimit me grupet e interesit. Gjatë kësaj periudhe administrata tatimore ka mundur të bëhet pjesë e sistemeve që shkëmbejnë automatikisht informacione me 72 vënde të botës, një lëvizje kjo që do të ndihmojë shumë dhe në luftën kundër evazionit. Kryqëzimi i informacionit me shumë institucione të tjera nga OSSHE tek Ujësjellsi, e ndihmojnë administratën tatimore të ketë më shumë qartësi për veprimtarinë e një biznesi. Regjistri i aseteve, është një tjetër risi , që prezantoi gjatë takimit znj Ibrahimaj.
Takimi me Drejtoren e Tatimeve shërben për të diskutuar shumë problematika që vijnë nga anëtarët dhe Kryerarja e Komitetit të Taksave dhe Doganave znj. Alketa Uruci ka trajtuar në fjalën e saj disa prej tyre.
Risku tatimor i cili vjen pjesërisht prej një ligji të të ardhurave që është i vjetër dhe pjesërisht për shkak të interpretimit që i bëjnë herë pas here ligjit inspektorët tatimore, ka qënë një nga cështjet e ngritura nga znj. Uruci. Pjesë e cështjeve të trajtuara kanë qënë dhe rimbursimi i TVSH – së dhe kryerja e kontrollit tatimor brenda afatit. Gjobat që vazhdojnë të gjenerohen gabimisht në sistem, si dhe bllokimi i llogarive bankare në mbledhjen e borxhit tatimor duke krijuar ndonjëherë pengesa pë biznesin, kanë qënë problematika që janë referuar nga anëatrët dhe trajtuar gjatë takimit.
Procedurat e cregjistrimit nga QKB-ja dhe organizimi i kontolleve formale edhe pas cregjistrimit, janë përmendur nga znj. Uruci si cështje që shqetësojnë biznesin e Dhomës Amerikane.