Zgjidhen drejtuesit e rinj në Bord

Zgjidhen drejtuesit e rinj në Bord

Dhoma Amerikane organizon Asamblenë e Përgjithshme

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri organizoi Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë, një nga eventet më të rëndësishme, e cila mbledh bazën e gjerë të anëtarësisë dhe zgjedh drejtuesit e rinj në Bord. Takimi u përshëndet nga Ministri i Ekonomisë, z. Blendi Gonxhja dhe E Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, znj. Nancy VanHorn. Votimi në Asamble shërbeu për të zgjedhur Zëvendës Presidentin, Thesarin dhe një anëtar Bordi.

Presidenti i Dhomës Amerikane Grant Van Cleve gjatë përshëndetjes së tij vendosi theksin në rritjen e investimeve amerikane në vend dhe krijimin e një klime optimale për investitorët përmes punës së gjithë aktorëve. Shifrat tregojnë për një rritje të investimeve dhe interes në sektorët si energjia e inovacioni të cilat sjellin impaktin e tyre edhe në rritjen e PBB e zhvillimit ekonomik të vendit.

Drejtori Ekzekutiv, z. Neritan Mullaj theksoi në fjalën e tij se Dhoma Amerikane e reflekton në statistikat e saj impaktin e punës, duke shënuar nivelin më të lartë të mbajtjes së anëtarësisë në gjithë historinë e Dhomës, një bazë e fortë kompanish amerikane dhe procese të suksesshme lobimi. Z. Mullaj, e falenderoi znj. Juela Isaj, Përgjegjësen e Thesarit, për gjithë kontributin dhe angazhimin aktiv në zhvillimin organizatës gjatë këtyre gjashtë viteve të punës në Bord.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri i Ekonomisë, z.Blendi Gonxhja u shpreh se Shqipëria duhet të jetë vendi mikpritës i sipërmarrjes së huaj dhe asaj amerikane në veçanti. “Për këtë arsye jemi duke çuar përpara me vendosmëri shumë reforma, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit” – tha Ministri Gonxhja gjatë fjalës së tij përshëndetëse duke theksuar faktin e rëndësishëm se marrëdhëniet Shqipëri – Amerikë përmbi marrëdhëniet ekonomike janë marrëdhëniet e dy popujve miq.

E ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, znj. Nancy VanHorn gjatë fjalës së saj vlerësoi punën që është duke bërë Dhoma Amerikane për përmirësimin e  klimës së biznesit në vend. “Ne amerikanët jemi të drejtpërdrejtë dhe duam të jemi të sinqertë. Mbeten ende sfida. Do të vijojmë të dëgjojmë shqetësimet tuaja e do të vijojmë të punojmë me Dhomën Amerikane në mënyrë që të ngrejnë në mënyrë efektive çështjet me zyrtarët e qeverisë.” – u shpreh znj. VanHorn gjatë takimit.

Anëtarët zgjedhin Drejtuesit e rinj në bord

Asambleja e Përgjithshme është edhe momenti i zgjedhjes së drejtuesve të rinj në Bord. Pozicionet vakante për të cilat u konkurrua, ishin Zëvendës Presidenti, Thesari dhe një anëtar Bordi. Gjatë sesionit të dytë, të gjithë kandidatët u prezantuan përpara anëtarëve, duke shpallur platformat e tyre për mënyrën se si mendojnë se mund të kontribuojnë në Bordin e Dhomës Amerikane.

Në përfundim të procesit të votimit, u shpallën fitues për pozicionin e Zëvendës Presidentit z.Rexhino Çekrezi nga Tifolium, për Thesarin z. Kledi Kodra nga Grant Thornton  dhe për pozicionin e Anëtarit të Bordit, z.Elton Çollaku nga Western Union.