Përfaqësues të Komiteteve dhe drejtues të Dhomës Amerikane, kanë folur mbi zbatimin në praktikë të tetë cështjeve themelore të Axhendës së Investimeve, një pjesë e rëndësishme e të cilave është marrë në konsideratë nga Ministria e Financës në reformën që ajo po ndërmerr për përmirësimin e klimës së biznesit.
Presidenti Enio Jaço duke folur me kryetarët dhe anëtarët e Komiteteve në AmCham, ka shpjeguar se Axhenda e Investimeve është një produkt profesional që ka konkretizuar problematikat themelore që kalon ekonomika dhe është vlerësuar si e tillë edhe nga Ministria e Financave. Implementimi i kësaj Axhende me të gjitha çështjet dhe rekomandimet e saj është objektivi themelor për AmCham në 2022
Nga ekspertët e Dhomës Amerikane, tashmë pritet angazhimi i tyre në teknicialitetet e zbatimit të çështjeve duke u bërë pjesë e grupeve të punës që po ngrihen nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë për të vënë në zbatim reformën.
‘Ne tashmë duhet të thellohemi në propozimet tona duke sugjeruar cilat janë ndërhyrjet reale në proçedura dhe legjislacion për të mundësuar realizimin e atyre objektivave dhe rekomandimeve që kemi vendosur në Axhendën e Investimeve dhe që padyshim kërkon vëmendjen dhe angazhimin tuaj për të çuar deri në fund me sukses këtë proçes”_ u shpreh z. Jaço jatë takimit.
Drejtori i AmCham Neritan Mullaj ka informuar gjatë takimit se Ministria e Financave ka përcaktuar gjashtë tema për të cilat do të ngrihen grupet e punës dhe ato janë ekonomia, arsimi, kuadri fiskal, programi antikorrupsion reforma strukturore dhe investimet. Tre grupet e para do të drejtohen nga vetë zv. Ministrat Financës dhe tre grupet e tjera nga anëtarë të kabinetit.
Gjatë prezantimit të reformës në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, u informua nga Ministrja Ibrahimaj se janë gjithsej 194 rekomandime, të cilat janë kategorizuar në 27 tema të identifikuara Sipas Ministrisë së Financave, përgatitja e planit të punës synohet të arrihet në fillim të muajit mars, ndërsa zbatimi i tij të kryhet deri në fund të muajit qershor. Me zbatim mund të konsiderohet dhe hartimi i propozimit ligjor dhe konsultimi i këtij propozimi ligjor, me qëllim që rekomandimi të zbatohet.
Mbledhja e AmCham me anëtarët e Komiteteve, vjen pas takimit të Jashtëzakonshëm të organizuar nga Këshilli i Investimeve me organizatat e biznesit dhe grupet e interesit, për të prezantuar shtyllat prioritare të ndërhyrjes së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në përmirësimin e klimës së investimeve, në vijim të rekomandimeve të KI dhe komunitetit të biznesit.