Sfidat Evropiane dhe shndërrimi Sektorit të Sigurimeve në një “Shtyllë Mbrojtëse të Ekonomisë”

Sfidat Evropiane dhe shndërrimi Sektorit të Sigurimeve në një “Shtyllë Mbrojtëse të Ekonomisë”

Nëse e shikojmë vendin si anëtar i Bashkimit Europian, një ndër prioritetet strategjike është zhvillimi i sektorit të sigurimeve si një instrument thelbësor për mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë ekonomike.

Në këtë kontekst, Shqipëria përballet me sfidën e madhe të përshpejtimit të zhvillimit të këtij sektori, duke e konsideruar atë jo thjesht si një komponent financiar, por si një shtyllë të sigurisë ekonomike dhe sociale.

Aktualisht, niveli i sigurimeve për frymë në Shqipëri mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe sidomos me vendet e Bashkimit Evropian. Për ilustrim, ndërsa në Shqipëri ky tregues është më pak se 100 euro për frymë, në vendet e BE-së kalon mesatarisht mbi 2000 euro për frymë. Kjo tregon për një boshllëk të theksuar në ndërgjegjësimin dhe përdorimin e instrumenteve të sigurimit.

Deri më sot është vërejtur një rritje e qëndrueshme në segmentin e sigurimeve vullnetare të shëndetit dhe automjeteve. Megjithatë, potenciali më i madh për zhvillim qëndron në sigurimin e pronës dhe kapitalit kundrejt rreziqeve themelore si zjarri, tërmeti dhe përmbytjet. Të dhënat nga autoritetet përkatëse tregojnë se aktualisht vetëm 5% e fondit të përgjithshëm të pronës është e siguruar.

Në dekadën e fundit, janë shënuar ndryshime klimaterike të konsiderueshme që kanë çuar në intensifikimin e humbjeve materiale, për shkak të motit ekstrem dhe të paparashikueshëm. Fenomene si uraganet, zjarret masive, përmbytjet dhe tërmetet, kanë dëshmuar dobësinë e sistemit aktual të menaxhimit të rreziqeve, duke e bërë të domosdoshme forcimin e rolit të sigurimeve si mekanizëm kompensues dhe preventiv.

Ndërkohë që debatojmë për shpejtësinë e reagimit në raste emergjente, mungojnë diskutimet serioze mbi nivelin e mbulimit të humbjeve dhe shtrirjen e sigurimeve në popullatë. Duhet theksuar se qeveria nuk është dhe nuk duhet të jetë mbrojtësja e pasurisë private nga rreziqet natyrore; ajo ka për detyrë vetëm mbrojtjen e jetës njerëzore përmes strukturave të emergjencës civile, por jo për të kompensuar dëmet financiare.

Vetë shteti siguron pronat e veta ndaj këtyre rreziqeve nëpërmjet sistemit të sigurimeve dhe ky është një standard i pranuar ndërkombëtarisht. Aktorët kryesorë që kontribuojnë në zhvillimin dhe funksionimin e sektorit të sigurimeve janë:

1. Rregullatori (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare – AMF)

AMF është organi përgjegjës për mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregut të sigurimeve. Përveç mbikëqyrjes së përputhshmërisë me ligjet dhe standardet, AMF harton akte nënligjore dhe rregullative që mundësojnë zhvillimin dhe stabilitetin e tregut.

2. Operatorët (Shoqëritë e sigurimit)

Shoqërite ofrojnë produkte sigurimi për të gjitha klasat e rreziqeve, në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare të menaxhimit të rrezikut.

3. Ndërmjetësit (Brokerat)

Janë subjekte të specializuara që veprojnë si ndërmjetës midis klientëve dhe shoqërive të sigurimit, duke ofruar konsulencë, krahasim produktesh dhe mbrojtje të interesave të konsumatorëve.

4. Konsumatorët

Kërkojnë informacion të vazhdueshëm mbi rreziqet dhe mënyrat e mbrojtjes përmes sigurimit, duke u bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm për rolin e sigurimeve në menaxhimin financiar dhe përballjen me pasigurinë.

Konteksti historik i zhvillimit të sektorit në Shqipëri

Sektori i sigurimeve në Shqipëri ka një histori të gjatë, që daton rreth viteve 1930, ku  shoqëritë e para te sigurimeve erdhen ne Shqiperi si pjese shoqeruese te sipemarjeve dhe kapitalit Italian te Investimeve ne Shqiperi per shkak te politikave dhe interesave te ndersjellta te shtetit shqiptar me qeverine Italiane per zhvillimin e ekonomise se vendit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, sistemi kaloi në modelin shtetëror dhe rifilloi zhvillimin në ekonomi të tregut pas viteve ’90, me liberalizimin e ekonomisë.

Zhvillimi i sektorit te sigurimeve ne te gjitha vendet perendimore nuk ka ardhur nepermjet sigurimit te detyrueshem ”per pergjegjesite ndaj paleve te treta” por nepermjet klasave te sigurimeve vullnetare.

Dëfrim CARCANI

Specialist i sektorit të sigurimeve