Rikthimi në punë këtë vjeshtë u kthye në një motiv të shkëlqyer për të organizuar një event network, ku AmCham vendosi në qendër të vëmendjes rolin e komiteteve të saj dhe ndikimin e ekspertizës që ato sjellin në formësimin e politikave publike, mbi të cilat Dhoma avokon prej vitesh.
Ceremonia e 25 shtatorit 2025 nuk ishte rastësore. Ajo mbajti një peshë të veçantë simbolike, pasi përkoi me ditën kur, plot 25 vite më parë, u themelua Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri. Në këtë vit jubilar, AmCham ka organizuar një sërë aktivitetesh për të reflektuar mbi rrugëtimin e saj, por ky event shënoi në mënyrë të veçantë kontributin e komiteteve. Drejtori Ekzekutiv, Neritan Mullaj, duke çmuar këtë angazhim, u shpreh: “Falë jush ne jemi sot një organizatë me zë dhe peshë në debatin ekonomik të vendit”.
Presidenti i AmCham, Grant Van Cleve, falënderoi anëtarët dhe drejtuesit e komiteteve, duke i cilësuar ata si shtyllat kryesore të influencës që Dhoma ushtron në hartimin e politikave ekonomike dhe të suksesit të arritjeve të saj.
Përmes komiteteve, AmCham i paraqet institucioneve një axhendë të qartë biznesi. Nuk bëhet fjalë vetëm për konstatimin e problematikave, por edhe për dhënien e rekomandimeve konkrete që shërbejnë si bazë për vendimmarrje.
Aktualisht, Dhoma ka shtatë komitete aktive dhe një të ri në proces krijimi – Komiteti i Rinisë dhe Sipërmarrjes. Kjo nuk është thjesht një shifër më shumë, por një dëshmi e gjallë e rolit që ky format sjell për anëtarët. Komitetet janë shndërruar në platforma ku diskutohen çështje që variojnë nga legjislacioni dhe rregullatorët, tek praktikat më të mira në burime njerëzore, inovacioni teknologjik dhe transformimet që sjell digjitalizimi i biznesit.
Komitetet dhe drejtuesit e tyre
- Adrian Shehu – Kryetar i Komitetit të Investimeve dhe Tregtisë
Ky komitet ndikon në legjislacionin për investimet dhe politikat që nxisin investimet vendase e të huaja. Përmes dialogut të vazhdueshëm me institucionet, ai promovon Shqipërinë dhe potencialin e saj në tregun amerikan. - Alketa Uruçi – Kryetare e Komitetit të Tatimeve dhe Doganave
Me fokus në politikat fiskale, ky komitet ka ndikim të madh në draftimin e komenteve dhe propozimeve që synojnë përmirësime konkrete në ligjet fiskale. - Albana Karapanço – Kryetare e Komitetit Rregullator, Ligjor & të Pronësisë Intelektuale
Një komitet me tagër të gjerë, i cili mbulon çështje të rëndësishme që variojnë nga legjislacioni bazë deri tek mbrojtja e pronësisë intelektuale dhe rregullat që përcaktojnë mjedisin e biznesit. - Genti Daci – Kryetar i Komitetit të Biznesit Digjital
Ky komitet ka orientuar vëmendjen e komunitetit drejt zhvillimeve digjitale, duke sjellë jo vetëm ndryshime ligjore dhe politike, por edhe edukim dhe trajnime për bizneset mbi transformimet teknologjike. - Valbona Dode – Kryetare e Komitetit të Punës dhe Etikës
Përveç ndikimit në ligjet që rregullojnë marrëdhëniet e punës, komiteti promovon zhvillimin e stafeve dhe përshtatjen me trendet moderne të burimeve njerëzore. - Ana Savinkina – Nënkryetare e Komitetit të Shëndetësisë
- Një komitet i ri, i cili ka nisur pozitivisht dialogun institucional mbi rimbursimin e barnave, ndërsa synon të sjellë ndryshime edhe në proceset ligjore dhe politikat e shërbimit shëndetësor.
- Elvis Kotherja – Kryetar i Komitetit të Turizmit dhe Mikpritjes
Me fokus te një nga sektorët më strategjikë të ekonomisë shqiptare, ky komitet punon për hartimin e politikave kombëtare për turizmin, si dhe për trajnimin profesional të forcës punëtore të sektorit.