• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Riformësimi i pagesave në Shqipëri: Roli i EasyPay në Open Banking dhe përtej tij

Riformësimi i pagesave në Shqipëri: Roli i EasyPay në Open Banking dhe përtej tij

Blogu, Lajme nga antarët
16 December 2025
Gerta

Viti 2025 shënoi një pikë kthese historike për ekosistemin financiar në Shqipëri, me nisjen zyrtare të Open Banking dhe avancimin drejt integrimit në zonën SEPA, dy procese që po transformojnë mënyrën sesi kryhen pagesat dhe sesi bashkëpunojnë aktorët financiarë në vend.

Ky ka qenë gjithashtu një vit veçanërisht i suksesshëm për EasyPay, si në aspektin e inovacionit ashtu edhe të zgjerimit të shërbimeve, duke përforcuar rolin tonë si lider në modernizimin e tregut të pagesave në Shqipëri.

1. Cilat janë elementët që e kanë bërë EasyPay gjatë këtyre 15 viteve lider në tregun e pagesave elektronike, në një kohë kur besimi i konsumatorit ndaj teknologjive financiare nuk ka qenë i lartë?

Gjatë 15 viteve të aktivitetit, EasyPay ka arritur të ndërtojë një pozicion të qëndrueshëm lider në tregun e pagesave elektronike falë një kombinimi elementësh kritikë që adresojnë si nevojat e tregut, ashtu edhe mungesën fillestare të besimit ndaj teknologjive financiare.
Së pari, ne kemi investuar fort në edukimin financiar të tregut dhe qytetarëve, duke shpjeguar përfitimet, sigurinë dhe thjeshtësinë e përdorimit të shërbimeve fintech. Ky proces ka qenë vendimtar në një mjedis ku kultura e pagesave elektronike ishte ende në fazë të hershme.

Po aq e rëndësishme ka qenë edhe filozofia jonë e pandryshueshme për cilësi të lartë shërbimi, duke eliminuar vonesat, gabimet dhe çdo eksperiencë që mund të prishte besimin e përdoruesve. Në tregun shqiptar — ku menaxhimi i parasë është jashtëzakonisht i ndjeshëm — një klient i zhgënjyer humbet përgjithmonë; për këtë arsye, ne e kemi vendosur korrektësinë operacionale në themel të çdo procesi.

Një tjetër shtyllë kyçe ka qenë inovacioni i vazhdueshëm. Që në ditën e parë ne sollëm pagesat real–time në një treg ku standardi i kohes ishin pagesat në batch me disa ditë vonesë. U bëmë kompania që lançoi portofolin e parë elektronik në Shqipëri ne vitin 2014, mundësuam pagesat peer-to-peer instant në një moment kritik gjatë pandemisë Covid ne 2020, dhe së fundmi gjate ketij viti, me Open Banking, realizuam transaksionin e parë të këtij lloji jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon — një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës së pagesave.

Po ashtu, vizioni ynë ka qenë i rrënjosur te financial inclusion, duke ofruar shumëllojshmëri kanalesh pagesash që u përshtaten të gjitha shtresave të popullsisë: pagesa me E-Wallet, karta, cash në mbi 560 pika agjente, si dhe tashmë përmes Open Banking.

Por mbi të gjitha, suksesi i EasyPay është rezultat i ekipit tonë, një kombinim njerëzish këmbëngulës, vizionarë dhe të përkushtuar ndaj misionit për të demokratizuar shërbimet financiare në vend për cdo shtresë të popullit.

2. Cilat janë prioritetet dhe projektet kryesore që EasyPay synon të realizojë në vitet e ardhshme, veçanërisht pas licencimit për Open Banking dhe zhvillimit të shërbimeve të reja digjitale?

Licencimi si aktori i parë i Open Banking në Shqipëri dhe realizimi i transaksioneve të para këtë vit përbën një pikë historike për Shqipërinë si dhe për në strategjinë tonë. Ky sukses vjen pas dy vitesh punë intensive për ndërtimin e një infrastrukture të plotë dhe të standardizuar me të gjitha bankat e nivelit të dytë.
Open Banking do të ketë një rol transformues për tregun shqiptar, duke mundësuar pagesa pay-by-bank në të gjitha aspektet e jetës së konsumatorit: nga ecommerce te pagesat me QR në dyqane. Avantazhet janë të qarta — transaksione në kohë reale, kosto më të ulëta për bizneset, dhe një eksperiencë moderne që tashmë kërkohet gjithnjë e më shumë nga tregtarët dhe konsumatorët.

Në paralel, gjatë këtij viti kemi zgjeruar ndjeshëm portofolin e produkteve, duke përfshirë:

Pagesat e Tatimeve dhe Taksave, në partneritet me Abi Bank (anëtare e AmCham).

Bashkëpunime të reja me banka tregtare për të mbështetur ekosistemin e kreditimit.

Ofrimin e eSIM në tregun shqiptar si distributor kryesor.

Shërbime të tjera që forcojnë rolin tonë si platformë gjithëpërfshirëse digjitale.

Në vitin 2026 dhe më tej, prioritet mbetet rritja e interoperabilitetit mes sektorit fintech dhe bankave, përfshirë aksesin e fintech-eve në clearing house të Bankës së Shqipërisë, si pjesë e implementimit të sistemit të pagesave instant (TIPS clone).
Gjithashtu, urojmë në krijimin e një API qeveritare të integruar për shërbimet e e-Albania, duke mundësuar ofrimin e këtyre shërbimeve për qytetarët në të gjitha kanalet tona.

Një tjetër drejtim strategjik është zgjerimi i pagesave ndërkombëtare, jo vetëm brenda zonës SEPA ku aktualisht po implementojmë shërbimet tona, por edhe në tregje të tjera, përmes partneriteteve me kompani globale të infrastrukturës së pagesave cross-border.
Në një ekonomi si e jona që po globalizohet me ritme të shpejta kryesisht nga turizmi, synimi është që pagesat — qofshin vendase apo ndërkombëtare — të realizohen në kohë reale ose gati në kohë reale.

Në përmbledhje, vizioni ynë afatgjatë është të konsolidojmë modelin Super App, ku përdoruesi mund të kryejë çdo pagesë dhe shërbim financiar në një platformë të vetme, pa vonesa, pa ndërprerje dhe pa kompleksitet.

3. Sa ndikim ka partneriteti me kompaninë amerikane Ria Money Transfer në zgjerimin e shërbimeve dhe forcimin e lidhjeve financiare mes Shqipërisë dhe SHBA-së?

Partneriteti me Ria Money Transfer ka qenë një nga bashkëpunimet më të suksesshme strategjike të EasyPay, dhe ky është edhe shkaku pse për të 9-in vit radhazi vijojmë të rritemi me rezultate shumë pozitive në sektorin e remitancave.
Ky sukses nuk vjen rastësisht — ai është produkt i një angazhimi të përbashkët të Ria-s për tregun shqiptar dhe i punës sonë për të garantuar shërbime të shpejta, të sigurta dhe me kosto të ulët për komunitetin shqiptar në diasporë dhe me mbi 560 pika në Shqipëri.

Nëpërmjet Ria dhe EasyPay, diaspora dhe qytetarët shqiptarë mund të dërgojnë dhe marrin dërgesa nga mbi 190 vende, duke përfshirë SHBA-në, me shpejtësinë dhe çmimet më konkurruese në treg.
Remitancat përbëjnë akoma dhe sot një sektor social-ekonomik me rëndësi kritike — sipas Bankës Botërore, ato zunë rreth 8.5% të PBB-së së Shqipërisë ne vitin 2024, duke ndikuar drejtpërdrejt mirëqenien e mijëra familjeve.

Falë këtij partneriteti, EasyPay jo vetëm ka zgjeruar ndjeshëm gamën e shërbimeve të saj, por ka kontribuar edhe në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe financiare mes diasporës shqiptare në SHBA dhe vendit tonë, duke krijuar ura më efikase dhe më të përballueshme për dërgimin e fondeve drejt Shqipërisë.

You may also like