Një nga angazhimet e rëndësishme legjislative të Dhomës Amerikane ne 2024 u fokusua në Projektligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Dhoma luajti një rol aktiv gjatë proceseve të konsultimit dhe hartimit, duke siguruar që interesat dhe shqetësimet e anëtarëve të saj të përfaqësoheshin plotësisht.
Dhoma Amerikane organizoi tryeza konsultative dhe informuese me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke krijuar një platformë për dialog konstruktiv. Gjithashtu, Dhoma Amerikane ka dorëzuar në mënyrë aktive komentet e anëtarëve dhe ka marrë pjesë në procesin e shqyrtimit brenda komisioneve parlamentare, duke kontribuar në përmirësime kritike në legjislacion.
Pikat kryesore të diskutimeve:
• U miratuan disa ndryshime të propozuara që lidhen kryesisht me aspektin gjuhësor dhe teknikën legjislative, pa prekur përafrimin e plotë me GDPR.
• Një nga ndryshimet më të rëndësishme është shtimi i paragrafit 4 në nenin 94, i cili përcakton:
• Detyrimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale që të miratojë me udhëzim të veçantë metodologjinë e vendosjes së sanksioneve për shkeljet e konstatuara.
• Metodologjia duhet të jetë në përputhje të plotë me standardet e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për të siguruar proporcionalitetin e masave administrative që mund të ndërmerren ndaj shkeljeve.
Rëndësia për bizneset:
Miratimi i këtij ndryshimi adreson një nga shqetësimet më të mëdha të bizneseve, atë të proporcionalitetit të masave administrative. Megjithatë, mbetet për t’u parë zbatimi i kësaj dispozite në praktikë.
Dhoma Amerikane është e kënaqur që ka kontribuar në përmirësimin e këtij legjislacioni, duke reflektuar përkushtimin e saj për të nxitur një mjedis të drejtë rregullator. Duke ecur përpara, Dhoma mbetet e përkushtuar për ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e bizneseve në kuptimin dhe respektimin efektiv të ligjit të ri.