Trajnimi në kuadër të programit Move Up Albania u fokusua në “Llogjistikën e Gjelbër”, një aspekt shumë të rëndësishëm të operacioneve të biznesit, nën influencën e politikave të Bashkimit Europian për të siguruar parametra optimalë të klimës dhe mjedisit.
Qëllimi i trajnimit ishte orientimi i bizneseve në zbatimin e praktikave të qëndrueshme, duke reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit, promovuar përdorimin e energjive alternative dhe integruar infrastrukturën dhe teknologjinë e gjelbër në të gjithë zinxhirin e furnizimit, duke ruajtur në të njëjtën kohë efikasitetin operacional.
Trajnerja Andrea Mureseanu ndërveproi me pjesëmarrësit mbi çështje që lidhen me legjislacionin e BE-së dhe objektivat ndërkombëtare, si SDG dhe ESG, si dhe praktikave më të mira mbi magazinimin dhe përdorimin e teknologjive të avancuara.
Trajnimi u përqendrua në temat kryesore si:
- Ndikimet mjedisore të logjistikës (emetime të gazeve serrë – GHG, cilësia e ajrit, zhurma, përdorimi i tokës)
- Tendencat rregullatore dhe objektivat e qëndrueshmërisë (Marrëveshja e Gjelbër e BE-së – EU Green Deal, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm – SDG, standardet ESG)
- Zgjidhje transporti me efikasitet energjetik (ndryshimi i modaliteteve të transportit për të promovuar mënyra miqësore me mjedisin, automjetet me emetime të ulëta dhe me karburant alternativ – elektrikë, LNG, hidrogjen, si dhe praktikat e optimizimit të rrugëve dhe konsolidimit të ngarkesave)
- Zgjidhje të qëndrueshme magazinimi (standardet e ndërtesave të gjelbra – LEED, BREEAM, dizajni me efikasitet energjetik, ndriçimi inteligjent, sistemet e menaxhimit të energjisë, automatizimi, robotika dhe inteligjenca artificiale, si dhe strategjitë për minimizimin e mbetjeve)
- Teknologjitë digjitale në logjistikën e gjelbër (sistemet telematike, gjurmimi i emetimeve, inteligjenca artificiale – AI, Interneti i Gjërave – IoT, automatizimi, etj.)
Modulet e programit Move Up Albania synojnë që, përmes trajnimeve dhe ndarjes së praktikave më të mira, të përgatisin bizneset vendase për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe për të ndërtuar modele të qëndrueshme në një treg konkurrues.
Ky program trajnimi zbatohet në bashkëpunim me AmCham Albania, nën drejtimin e International Finance Corporation (IFC), një anëtare e Grupit të Bankës Botërore, në partneritet me Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).

