Presidenti i Republikës z. Bajram Begaj ka kthyer për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë, Ligjin për Inspektimin duke theksuar disa argumente të ngritur në letrën që Dhoma Amerikane ka dërguar si pjesë e konsultimit për këtë akt. Megjithë diskutimet në Parlament, ligji është miratuar, por nuk ka kaluar filtrin e gjykimit të institucionit të Presidentit, i cili ka këmbëngulur në hartimin e një reforme të qëndrueshme, që respekton mbi të gjitha konsultimin publik dhe merr në konsideratë mendimin e grupeve të interesit.
Dhoma u përfshi në këtë proces kosnultues duke listuar propozimet e veta për një reformë të qëndrueshme të inspektimit dhe që përmbush standardet për përmirësimin e aspekteve ligjore dhe institucionale duke theksuar dy pika kryesore:
Rishqyrtimi i ligjeve të posaçme qe parashikojnë inspektimin e subjekteve pasi është e nevojshme që reforma të përfshijë një përmirësim të strukturuar dhe të qëndrueshëm të legjislacionit aktual, duke siguruar që të gjitha aspektet e inspektimit të jenë të rregulluara dhe të koordinuara në mënyrë efektive.
Parashikueshmëria Institucionale si një kriter që ofron qasje afatgjata dhe efikase për të reduktuar barrën administrative mbi bizneset
Por ajo që na bashkon më shumë me mendimin e Presidentit, është se bashkimi i disa ligjeve në një ligj të vetëm, shkakton konfuzion, mbjell paqartësi, sjell pasiguri dhe komplikon e vështirëson zbatueshmërinë e ligjit.