• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Komiteti për të rinjtë, sipërmarrjen dhe inovacionin projekton prioritetet për dy vitet e ardhshme

Komiteti për të rinjtë, sipërmarrjen dhe inovacionin projekton prioritetet për dy vitet e ardhshme

Blogu, Lajme
17 March 2026
Gerta

Komiteti për të Rinjtë, Sipërmarrjen dhe Inovacionin ka organizuar takimin e parë zyrtar, i cili shërbeu për të projektuar planet dhe iniciativat që do të udhëheqin aktivitetin e komitetit gjatë dy viteve në vijim.

Kryetari i Komitetit, Klint Bërdica, angazhoi anëtarët në një diskutim aktiv për të përcaktuar rrugët më të mira përmes të cilave të rinjtë mund t’i qasen ekosistemeve të inovacionit dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi mes biznesit dhe universiteteve, duke përfituar nga praktikat më të mira lokale dhe ndërkombëtare.

Nga moria e ideve të sjella nga të rinjtë në Komitet, janë përzgjedhur si fusha prioritare të inovacionit inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, si edhe çështje që lidhen me legjislacionin për sipërmarrjen.

Me mjaft interes është pritur në Komitet ideja për të organizuar sesione me fokus tek inovacioni. Këto do të jenë takime tematike që synojnë të prezantojnë ide, projekte dhe praktika inovative nga komuniteti i biznesit dhe startup-eve. Sesionet do të shoqërohen edhe me një newsletter të dedikuar, i cili do të shërbejë si platformë për ndarjen e njohurive, historive të suksesit dhe zhvillimeve të fundit në fushën e inovacionit.

Pjesë e veprimtarisë së Komitetit, që synon jo vetëm të rrisë kapacitetet e anëtarëve të tij por edhe të komunitetit të biznesit, do të jenë edhe tryeza të rrumbullakëta dhe forume dialogu mbi tema kyçe që lidhen me sipërmarrjen, teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive të lidershipit tek të rinjtë. Këto aktivitete do të krijojnë një hapësirë diskutimi mes përfaqësuesve të biznesit, ekspertëve dhe profesionistëve të rinj, duke ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi edhe me sistemin universitar.

Në kuadër të zhvillimit profesional, Komiteti ka mirëpritur propozime për trajnime dhe programe që zhvillojnë lidershipin tek të rinjtë, duke rritur aftësitë e tyre në komunikim dhe në të folur në publik. Me mjaft interes janë mirëpritur edhe programet e Ambasadës Amerikane, si Programi Fulbright dhe Programi Hubert H. Humphrey, të cilat u japin mundësi të rinjve të thellohen në kërkim shkencor dhe zhvillim profesional.

Përmes këtyre iniciativave, Komiteti për të rinjtë, sipërmarrjen dhe inovacionin synon të forcojë rolin e tij si një platformë që nxit ide të reja, mbështet sipërmarrjen dhe kontribuon në zhvillimin e lidershipit të gjeneratës së re në Shqipëri.

You may also like