Komitetet në Dhomën Amerikane kanë filluar vitin duke hartuar prioritetet dhe planin e veprimit, duke e bërë 2026 një vit intensiv dhe me një program të qartë. Të gjitha Komitetet janë mbështetur në fokusin e tyre për të përcaktuar prioritetet themelore që më pas do të vizualizojnë edhe planin vjetor të eventeve. Mbështetur në politikat makro të Dhomës Amerikane, të gjitha komitetet kanë orientuar veprimtarinë e tyre avokuese drejt përmirësimit të indikatorëve të klimës së biznesit duke vendosur në fokus anëtarin
Legjislacioni mbi taksat dhe zbatimi i tij, si edhe trajnimi i anëtarëve mbi ligjet e reja fiskale, përbëjnë fokusin kryesor të punës së një prej komiteteve më aktive në AmCham, Komitetit të Taksave.
Kuadri ligjor për investimet, procesi i konsultimit publik, si dhe përgatitja e bizneseve për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, janë ndër prioritetet kryesore të punës së Komitetit të Ligjeve, duke e bërë atë një aktor kyç në mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të biznesit.
Po kaq të rëndësishme kanë qenë edhe sfidat e tregut të punës dhe përgatitja e një klase profesionistësh për sektorët prioritarë, fusha në të cilat Komiteti i Punës po punon ngushtë me aktorët publikë dhe privatë. Digjitalizimi dhe infrastruktura ligjore që e mbështet atë kanë angazhuar anëtarët e Komitetit të Biznesit Digjital, të cilët tashmë po bashkëpunojnë edhe me të rinjtë që drejtojnë Komitetin e Inovacionit, për të zhvilluar më tej tema të rëndësishme të teknologjisë dhe inovacionit në biznes.
Komiteti i Turizmit ka punuar intensivisht për përpilimin e një position paper me rekomandime konkrete, që synojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të këtij sektori strategjik. Ndërkohë, një tjetër komitet sektorial, ai i Healthcare, po avokon për ndërtimin e një kuadri normativ sa më transparent dhe efikas, me qëllim sigurimin e aksesit të pacientëve në terapi dhe zgjidhje inovative, si dhe harmonizimin e legjislacionit vendas me praktikat bashkëkohore europiane, në funksion të përmirësimit të shëndetit të popullatës.




