Heqja e tarifave tregtare me SHBA, koha për veprim të përbashkët

Heqja e tarifave tregtare me SHBA, koha për veprim të përbashkët

Trade & Investment USA

Neritan Mullaj

Drejtor Ekzekutiv AmCham Albania

Rritja e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe pozicioni i favorshëm që Shqipëria ka fituar në rajon, krijon momentin e duhur për të shtyrë përpara idenë e një zone të lirë tregtare me SHBA. Shqipëria gëzon disa avantazhe konkurruese që e bëjnë një destinacion tërheqës për tregtinë dhe investimet. Pozicioni gjeografik në skajin perëndimor të Ballkanit, me dalje të drejtpërdrejtë në det dhe akses të shpejtë në tregjet europiane, ofron një derë hyrëse për produktet amerikane drejt rajonit. Njëkohësisht, një ekonomi në zhvillim, forcë punëtore konkurruese dhe politika gjithnjë e më të orientuara drejt integrimit euroatlantik, e pozicionojnë Shqipërinë si një partner të besueshëm krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Dhoma Amerikane gjykon se heqja e tarifave aktuale, fillimisht nga ana jonë, do të përforconte partneritetin ekonomik dypalësh dhe do të çonte në kushte më të favorshme për eksportuesit dhe investitorët amerikanë dhe shqiptarë dhe do të sillte një sërë përfitimesh strategjike: rritjen e eksporteve shqiptare, zgjerimin e investimeve amerikane në vend, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e stabilitetit ekonomik rajonal. Për më tepër, do të afirmonte Shqipërinë si një partner që ndan të njëjtat vlera demokratike dhe interesa strategjike me SHBA-në. Strategjia për të zhvilluar një marrëdhënie të qëndrueshme tregtare duhet të ketë në bazë ndërveprimin e sektorit privat dhe institucioneve shtetërore. Duke shfrytëzuar sektorët e saj konkurrues dhe duke nxitur përpjekjet bashkëpunuese midis biznesit dhe qeverisë, Shqipëria mund të përballojë sfidat e paraqitura nga tarifat e reja të SHBA-së dhe ta kthejë këtë situatë në një mundësi.

Këtë diskutim zhvillova edhe me Ambasdorin e Shqipërisë në SHBA z. Ervin Bushati ku ramë dakort të bashkëpunojmë ngushtë me Ambasadën Shqiptare në Uashington, D.C. për të inicuar dhe mbështetur dialogun me agjencitë përkatëse të SHBA-së. Qëllimi është të ndërtohet mirëkuptim i ndërsjellë dhe të demonstrohet se si heqja e tarifave do të kontribuonte në investime më të mëdha, krijimin e vendeve të punës dhe stabilitetin rajonal. Duke punuar së bashku, jo vetëm që mund të përmirësojmë kushtet tregtare, por edhe të forcojmë miqësinë dhe partneritetin ekonomik afatgjatë me Shtetet e Bashkuara. 

Në vitin 2024, shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe SHBA arritën një total prej 270 milionë dollarësh, me një rritje domethënëse krahasuar me vitin pararendës. Ky trend pozitiv tregon potencialin e pazhvilluar të kësaj marrëdhënieje. Sektorët më të përfituar nga një liberalizim i plotë do të ishin eksportuesit shqiptarë të hekurit dhe çelikut, strukturave të aluminit dhe bimëve medicinale, ndërsa nga ana tjetër, importet amerikane si mjetet e transportit, pjesët këmbimi dhe produktet bujqësore do të gjenin një treg më të hapur dhe më pak të kushtueshëm në Shqipëri.

Një strategji me disa aktorë për një rezultat të qëndrueshëm

Besoj fort se rruga drejt një partneriteti të qëndrueshëm ekonomik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk është një rrugëtim që mund të përshkohet vetëm. Kjo është një strategji që kërkon përfshirjen dhe angazhimin e shumë aktorëve – privatë, publikë, institucionalë dhe njerëzorë. Për mua, bashkëpunimi publik-privat është baza. Kam parë që iniciativat e përbashkëta si misionet tregtare apo forumet sektoriale nuk janë thjesht ngjarje – ato janë ura reale që forcojnë lidhjet dhe bëjnë të dukshme kapacitetet tona eksportuese. Në to, jo vetëm që prezantojmë produktet tona, por tregojmë edhe vizionin tonë për të qenë një partner serioz dhe i besueshëm.

Si një organizatë biznesi që mbështetet fort në avokim, ne e dimë vlerën e fakteve dhe argumentave për të qënë të suksesshëm dhe bindës. AmCham dhe institucionet qeveritare  duhet të përdorin projeksione të qarta statistikore për të dëshmuar se marrëdhënia jonë tregtare me SHBA-në nuk është kalimtare – ajo ka një ndikim real në ekonominë shqiptare, ruan vende pune dhe fuqizon industritë tona më jetike. Këto janë argumente që vlejnë dhe që mund të çojnë përpara lobimin për uljen e tarifave. Dhe këtu hyn në lojë zëri i fortë i sektorit privat. Përfaqësuesit e sektorëve si industria e hekurit, çelikut, kromit apo edhe ajo e bimëve medicinale duhet të marrin rolin e tyre si zëdhënës të interesave të tyre. Ata janë në vijën e parë, ata e njohin terrenin, dhe lobimi që vjen nga përvoja direkte është shumë më bindës.

Një aktor i rëndësishëm dhe influencial në këtë proces është edhe diaspora shqiptare në Amerikë. Shqiptarët që jetojnë dhe punojnë atje, janë një urë e fuqishme komunikimi dhe ndikimi. Shumë prej tyre janë sipërmarrës të suksesshëm që jo vetëm mund të investojnë në Shqipëri, por edhe të promovojnë produktet dhe potencialin tonë ekonomik në tregun amerikan. Ata janë dëshmia më e gjallë e lidhjeve tona natyrore me SHBA-në.

Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, diplomacia. Qeveria shqiptare ka një rol thelbësor në këtë strategji. Ajo duhet të angazhohet drejtpërdrejt me homologët amerikanë, duke e paraqitur Shqipërinë si një partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm. Vetëm përmes një angazhimi të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm mund të ndërtojmë një marrëdhënie tregtare që përfiton nga kushte preferenciale dhe që sjell zhvillim afatgjatë.