Catalyst Story Institute e ka risjellë edhe njëherë Shqipërinë në vëmendjen e producentëve, drejtuesve ekzekutivë dhe profesionistëve të industrisë globale të filmit në Hollywood, të cilët po vizitojnë Shqipërinë në kuadrin e një turi rajonal që Catalyst po zhvillon në Ballkan.
Një nga takimet e agjendës së tyre ishte me Dhomën Amerikane, ku këto brande të njohura hollivudiane Dune, Wednesday, Pacific Rim, Godzilla, Ferrari, Sonic the Hedgehog 3, Pokémon, Maleficent patën mundësi të zhvillonin një diskutim mjaft interesant me drejtuesit e AmCham mbi specifikat gjeografike, demografike dhe oportunitetet e një force të re punëtore që e bëjnë vendin tonë një destinacion konkurrues. Drejtuesit i Catalyst, Z. Philip Gilpin, ka orientuar diskutimin duke sjellë në vëmendje të grupit të industrisë së filmit mundësitë konkrete që ofron vendi, jo thjesht si një destinacion me relieve gjeografike të favorshme, por mbi të gjitha potencialin e një vendi që kombinon politikat incentivuese me një gjeneratë të re të shkolluar dhe të gatshme për t’u profesionalizuar në shërbim të kësaj industrie.
Drejtori i Dhomës Amerikane, Neritan Mullaj, dhe zv. Presidenti Rexhino Cekrezi u shprehën mjaft bashkëpunues mbi idenë për të zhvilluar, përmes takimeve me institucionet shtetërore, një kuadër ligjor që lehtëson veprimtarinë e industrisë kinematografike duke mbështetur interesin e kompanive globale për ta parë Shqipërinë si një destinacion. Ky oportunitet investues e promovues për vendin sjell edhe një zinxhir përfitimesh për bizneset në sektorët e tjerë dhe Dhoma Amerikane mund të luajë një rol të rëndësishëm në informimin dhe angazhimin e bizneseve anëtare nga turizmi, transporti, agrobiznesi e sektori shërbimeve me industrinë filmike.




