Dhoma Amerikane e ka filluar vitin me një event që promovon networkun dhe bashkëpunimin mes anëtarëve. “Get Together”, është formati i frymëzuar nga dëshira për të ndërtuar ura të komunikimit në komunitet dhe për t’i dhënë mundësi anëtarëve të flasin jo vetëm për biznes.
“Ky format takimi është një mënyrë për të zhvilluar networkun mes anëtarëve të Dhomës dhe fillimi i një serie eventesh që ne e kemi titulluar “Get Together”, sepse thelbi i konceptit të këtij eventi është të na bëjë bashkë. Takimi është një mundësi për t’u njohur, për të folur dhe shkëmbyer të rejat e fundit, që mund t’ju çojnë, pse jo, edhe tek një marrëveshje biznesi”, – u shpreh Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj gjatë përshëndetjes së pjesëmarrësve.
Në serinë e parë të këtij eventi, hapësira e dedikuar për një CEO do të sillte historinë e Catalyst Story Institute, një kompani amerikane që operon në industrinë e filmit dhe po ndërton ura bashkëpunimi me industrinë globale të filmit.
Drejtori Ekzekutiv i saj, z. Philip Gilpin, Jr., bëri një prezantim të shkurtër mbi vizionin dhe punën që Catalyst Story Institute po zhvillon për të krijuar një brez të ri profesionistësh në të gjitha shërbimet e industrisë së filmit. Kjo platformë trajnimesh evidenton dhe përgatit talentet lokale dhe në të njëjtën kohë e pozicionon Shqipërinë në hartën e interesit të aktorëve kryesorë globalë të filmit.
Mbrëmja e çformalizuar nga protokollet e eventeve zyrtare ka krijuar një atmosferë miqësore dhe i ka dhënë mundësinë anëtarëve të flasin e diskutojnë lirshëm me njëri-tjetrin.









