Flet Elton Çollaku, Administrator  i Union Financiar Tiranë (UFT): Digjitalizimi që po udhëheq tregun FinTech

Flet Elton Çollaku, Administrator  i Union Financiar Tiranë (UFT): Digjitalizimi që po udhëheq tregun FinTech

  1. Union Financiar Tiranë është bërë një emër i rëndësishëm në sektorin Fin Tech. Si e parashikon Union Financiar Tiranë zgjerimin e mëtejshëm të portofolit të tij në sektorin fintech në Shqipëri dhe rajon?

Union Financiar Tiranë (UFT) ka ndërtuar një trashëgimi 30-vjeçare në fushën e shërbimeve financiare, me një fokus të pandërprerë në inovacion dhe përshtatje ndaj nevojave të klientëve dhe zhvillimeve globale teknologjike. UFT ka qenë gjithmonë një hap përpara, duke sjellë risi në mënyrën si kryhen pagesat në Shqipëri dhe më gjerë.

Sot, përmes platformës sonë inovative UPay, jemi duke realizuar një zgjerim strategjik të portofolit të produkteve dhe klientelës, duke hyrë fuqishëm në segmentin fintech, si për klientët individualë ashtu edhe për bizneset duke zhvilluar një ekosistem të integruar pagesash që përfshin: portofol dixhital për përdoruesit fundorë dhe klientët biznes, zgjidhje për pagesa me kartë, QR Kod, NFC, API për pagesa të integruara për e-commerce, pagesa të faturave dhe transferta parash të menjëhershme, e të tjera zhvillime që i shtohen vazhdimisht platformës.

Zgjerimi nuk ndodh rastësisht. Ai ndërtohet. Në një treg që evoluon me shpejtësinë e teknologjisë, të mbetesh relevant do të thotë të ecësh përpara, ndonjëherë edhe para kërkesave të klientëve. Kjo filozofi na ka udhëhequr në ndërtimin e UPay, një platformë që sot ofron më shumë se thjesht pagesa: ajo ofron zgjidhje, komoditet dhe mundësi.

Synimi ynë është që shërbimet tona të evoluojnë me teknologjinë. Kështu UPay është kthyer në një mision të ri në epokën digjitale. Një platformë që rritet me përdoruesit e saj dhe që zgjerohet në mënyrë inteligjente, duke përfshirë më shumë shërbime, më shumë tregje dhe më shumë segmente të klientelës duke u kthyer në zgjedhjen e parë të përdoruesve të platformave dhe aplikacioneve financiare në Shqipëri dhe rajon.

2. Cili është qëndrimi strategjik i Union Financiar ndaj implementimit të modelit të open banking në Shqipëri?

Union Financiar Tiranë e konsideron implementimin e modelit të Open Banking një hap thelbësor drejt modernizimit të sektorit financiar dhe rritjes së transparencës, inovacionit dhe përfshirjes financiare në Shqipëri. Ne kemi një qasje proaktive dhe vizionare ndaj Open Banking, duke e parë atë jo vetëm si një kërkesë rregullatore, por si një mundësi për të krijuar vlera të reja për përdoruesit dhe për tregun në tërësi.

Kemi ndërtuar ura bashkëpunimi me të gjitha bankat e nivelit të dytë për t’i përfshirë në platformën tonë UPay, për të sjellë përfitime konkrete për klientët – qasje më të thjeshtë në llogari, pagesa të drejtpërdrejta me një klikim dhe një përvojë pa barriera, e gjitha kjo me zero kosto për përdoruesin.

Çdo integrim sjell sfidat e veta teknike, por edhe mundësi për të bashkëkrijuar. Stafet tona teknike kanë bashkëpunuar ngushtë me bankat, duke ndarë eksperienca dhe ide, me një qëllim të vetëm: ta bëjmë Open Banking të funksionojë për të gjithë: për përdoruesit, për bankat, për tregun.

Në përfundim të këtij procesi, do të jemi në gjendje të ofrojmë një përvojë të plotë multi-bank për përdoruesit e UPay, duke përfshirë kontrollin e llogarive dhe inicimin e pagesave. Kjo do të përmirësojë ndjeshëm përvojën e përdoruesit dhe do të rrisë transparencën në menaxhimin e financave personale.

Ne jemi të përkushtuar të jemi në pararojë të këtij zhvillimi, duke kontribuar aktivisht në ndërtimin e një ekosistemi financiar më të hapur, më të integruar dhe më të orientuar nga nevojat e klientit.

3. Si po përgatitet UFT për të përmbushur standardet e Bankës së Shqipërisë dhe rregulloret e BE-së në lidhje me open banking dhe PSD2?

Në një kuadër gjithnjë e më të dixhitalizuar financiar, UFT ka ndërmarrë një udhëtim strategjik për t’u përshtatur me kërkesat në rritje të tregut dhe me një mjedis rregullator në transformim të vazhdueshëm. Duke kuptuar rëndësinë e përputhjes me Direktivën Evropiane për Shërbimet e Pagesave (PSD2) dhe synimet e Bankës së Shqipërisë për të harmonizuar kuadrin ligjor me atë të BE-së, UFT ka ndërtuar një infrastrukturë të sigurt, transparente dhe të hapur për inovacion.

Për ne, përshtatja me PSD2 nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një mundësi për të ridizenjuar mënyrën se si ndërveprojmë me klientët dhe partnerët. Përmes platformës sonë ne kemi aftësinë të zhvillojmë API të sigurta nëpërmjet të cilave palët e autorizuara mund të aksesojnë informacionin dhe kryejnë transaksione në përputhje të plotë me protokollet e sigurisë e cila është në qendër të çdo procesi. Në përputhje me nenet kyçe të PSD2 dhe udhëzimet e Bankës së Shqipërisë, UFT ka zbatuar autentifikimin e fortë të klientit (SCA). Çdo pagesë apo akses në llogaritë online mbrohet me autentifikim shumëfaktorësh, përfshirë autentifikimin biometrik dhe verifikimin në kohë reale, duke garantuar një eksperiencë të sigurt për çdo përdorues.

UFT kujdeset vazhdimisht që të gjitha procedurat, produktet dhe sistemet e shërbimeve të jenë në përputhje të plotë me rregulloren për shërbimet e pagesave dhe udhëzimet për zbatimin e open banking. Në të njëjtën kohë, janë ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar përputhshmërinë me GDPR, veçanërisht në mënyrën se si menaxhohen dhe ruhen të dhënat personale të klientëve.

4. A ka plan UFT të shndërrohet në një “platformë financiare” ku konsumatorët mund të aksesojnë më shumë se një institucion nëpërmjet një aplikacioni të vetëm, si UPay?

Kjo në fakt është filozofia që na ka udhëhequr që në fillimet e zhvillimit të UPay. Më shumë se një aplikacion, UPay është një platformë e gjerë shërbimesh financiare shumëdimensionale dhe në progres të vazhdueshëm. Aktualisht, përdoruesit e UPay mund të aksesojnë mbi 100 shërbime pagesash në aplikacion për shërbime që ofrohen nga institucione publike apo biznese të ndryshme, që nga pagesat e utiliteteve, transfertat e parave, abonimet në internet, televizion, siguracionet, mikrokredi, pagesa online, e-commerce, pagesa me QR code, kartë debiti e shumë të tjera. Pra, eksperienca multi institucionale ofrohet prej vitesh në UPay, ndërsa UFT luan rolin e një ndërlidhësi mes përdoruesit fundor dhe shumë ofruesve të shërbimeve financiare.

Vizioni ynë për të ardhmen e financave në Shqipëri synon ta vendosë UPay si një portë hyrëse në një ekonomi më të integruar, më të digjitalizuar dhe më të drejtë financiarisht. Duke bashkuar në një aplikacion të vetëm shërbime nga shumë institucione, UPay po ndërton bazën për një ekosistem financiar ku përdoruesi dhe bashkëpunimi vendosen në qendër.

Platforma do të vazhdojë të zgjerojë partneritetet me institucione të reja, duke zgjeruar me tej gamën e shërbimeve dhe kufijtë e përdorimit. 

5. Çfarë inovacionesh janë në zhvillim nga UPay dhe si do të ndikojnë ato në përmirësimin e përvojës së klientit në Shqipëri?

Në një epokë ku përdoruesi kërkon shpejtësi, thjeshtësi dhe transparencë, UPay po zhvillon një sërë inovacionesh. Zhvillimet tona synojnë ta çojnë përdoruesin drejt një përvoje financiare më të zgjuar, më të shpejtë dhe më të personalizuar.

Transfertat Ndërkombëtare të parave Western Union përmes UPay janë të disponueshme tashmë në UPay.

UPay është bërë portofoli i parë elektronik në Evropë që ofron shërbimet e Western Union, si Dërgesa në mbi 200 shtete dhe territore, ashtu edhe Tërheqje direkt në llogarinë e tyre UPay. Çdo përdorues i UPay mund të dërgojë apo të marrë para në çdo cep të botës ku operon Western Union.

Ky integrim jo vetëm forcon pozicionin e UFT në tregun lokal, por e pozicionon atë si një aktor me ndikim rajonal dhe ndërkombëtar në shërbimet e pagesave.

Karta UPay Mastercard një tjetër zhvillim i ri, ka hapur për UFT një derë drejt tregut të kartave dhe pagesave të avancuara. Karta UPay është një kartë debiti që lidhet direkt me aplikacionin UPay të kartëmbajtësit dhe i jep mundësinë të përdorë fondet e disponueshme në llogarinë UPay. Më shumë sesa një produkt, është një pikë kontakti e re me klientin, një mënyrë për të rritur numrin e klientëve aktivë, të angazhuar, që përdorin platformën në mënyrë të vazhdueshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë, online dhe në dyqane fizike, madje edhe me Google Pay.

UPay për bizneset është një tjetër dimension i platformës në shërbim të biznesit. Ndërsa individët përfitojnë komoditetin, bizneset përfitojnë fuqinë e automatizimit. Me API të dedikuara për integrim me platformat e-commerce, raportim në kohë reale dhe zgjidhje të sigurisë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, UPay ka nisur të zgjerojë portofolin e vet edhe në drejtim të klientëve biznes, duke i ndihmuar të transformojnë mënyrën si menaxhojnë pagesat dhe financat.

Ky është një hap i rëndësishëm strategjik që e vendos UPay si një partner teknologjik edhe për zhvillimin e bizneseve.