Elvis Kotherja, Kryetar i Komitetit të Turizmit dhe Mikpritjes
Pesha e sektorit të turizmit në ekonominë e vendit po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një forcë dominuese. Në këtë kontekst, Komiteti i Turizmit dhe Mikpritjes në Dhomën Amerikane po synon të revitalizojë njohuritë dhe ekspertizën e anëtarëve të tij, për të ndikuar orientimin strategjik të këtij sektori. I përbërë nga disa prej kompanive më të njohura dhe me përvojë në industri, ky Komitet mbështetet në ekspertizën e thellë, perspektivën ndërkombëtare dhe vizionin afatgjatë për të kontribuar në hartimin e politikave që synojnë transformimin e turizmit shqiptar në një sektor të mirëfilltë konkurrues në rajon dhe lokomotivën e ekonomisë shqiptare.
Përmes angazhimit dhe dialogut me institucionet publike, Komiteti u përfshi në procesin e përgatitjes së një “Position Paper”, si një dokument strategjik që pasqyron nevojat reale të tregut dhe ofron zgjidhje konkrete për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Ky dokument nuk përbën thjesht një analizë, por ofron rekomandime për të nxitur një reformë të thellë duke u mbështetur në përvojën e drejtpërdrejtë të kompanive anëtare që operojnë në terren dhe sjellin mendimin praktik dhe modelet më të mira ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, vizioni i paraqitur më poshtë për Strategjinë Afatgjatë të Zhvillimit të Turizmit synon të adresojë sfidat kryesore dhe të përcaktojë drejtimet konkrete për ta bërë Shqipërinë një destinacion të qëndrueshëm dhe konkurrues në rajon.
Shtylla e parë dhe më kryesorja e kësaj strategjie është kualifikimi i fuqisë punëtore. Sot, nevoja për punonjës të kualifikuar është imediate, prandaj kërkohet që institucionet shtetërore të ushtrojnë një kontroll rigoroz mbi cilësinë e mësimdhënies në entet publike dhe private. Procesi i të mësuarit ka pësuar ndryshime rrënjësore; ai tashmë është një gërshetim midis teorisë, praktikës reale në sisteme dixhitale dhe aplikimit direkt në punë. Kompanitë që kanë investuar në krijimin e akademive të tyre po sigurojnë një të ardhme të qëndrueshme për veten dhe sektorin. Ky model i ri edukimi garanton që njohuritë e marra të jenë në përputhje me kërkesat e tregut global.
Shtylla e dytë përbëhet nga produktet turistike, të cilat janë rezultat i drejtpërdrejtë i njerëzve të kualifikuar. Në sektorin privat, roli i financierëve dhe krijuesve të të ardhurave është vendimtar, duke përdorur teknologjinë në mënyrë perfekte për të menaxhuar çmimet dhe shitjet në çdo kohë. Inovacioni teknologjik duhet të jetë i pranishëm në çdo qelizë të biznesit për të maksimizuar eficencën. Paralelisht, sektori publik dhe institucionet e promovimit duhet të orientojnë strategjitë e tyre drejt tregjeve prioritare për dhjetë vitet e ardhshme, duke u bërë udhëheqës të marketingut strategjik. Është e rëndësishme që të krijohen oferta unike që diferencojnë Shqipërinë nga konkurrentët tanë fqinjë.
Pika e tretë dhe përfundimtare bazohet te formalizimi, standartizimi dhe turizmi gjithëvjetor. Në thelb të këtij vizioni qëndron qëndrueshmëria, ku ndjekja e procedurave të UN Tourism për standartet e destinacionit mbetet objektivi ynë kryesor. Ne duhet të synojmë një model që mbron burimet tona natyrore dhe kulturore, duke siguruar një zhvillim që zgjat në kohë.
AmCham dhe Komiteti i Turizmit dhe Mikpritjes janë në fazën finale të shpalljes së “Position Paper”, një dokument që do të shërbejë si udhërrëfyes për vendosjen e standarteve dhe implementimin e një zhvillimi afatgjatë, të thelluar dhe gjithëpërfshirës. Ky dokument do të jetë një thirrje për veprim për të gjithë aktorët e përfshirë në këtë industri jetike, që sektori të formalizohet, ligjërohet dhe të implementohet plotësisht.

