EasyPay mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Champions of Growth”, organizuar nga Future500 Initiative dhe IEDC – Bled School of Management, e zhvilluar në ambientet e European Commission në Bruksel. Kompania shqiptare Fintech u përzgjodh mes 500 kompanive më premtuese në Europën Qendrore dhe Lindore, duke përfaqësuar Shqipërinë në një forum të rëndësishëm për rritjen dhe inovacionin në Europë.
Future500 është një platformë pan-evropiane e krijuar për të identifikuar dhe mbështetur kompanitë me potencial të lartë rritjeje (scaleups), duke i lidhur ato me investitorë, institucione dhe politikëbërës europianë. Nisma synon të përshpejtojë zhvillimin e 500 kompanive më premtuese të rajonit dhe t’i ndihmojë të kthehen në liderë globalë.
Platforma u lançua fillimisht gjatë Bled Strategic Forum 2025 në Slloveni, në kuadër të Future 500 Forum, ku u mblodhën drejtues biznesi, investitorë dhe politikëbërës nga e gjithë Europa për të diskutuar sfidat e rritjes së kompanive europiane dhe aksesin në kapital . EasyPay ka qenë pjesë edhe e këtij eventi të mëparshëm, duke qenë aktive që në fazat e hershme të kësaj platforme.
Pjesëmarrja në Bruksel përfaqëson një vijimësi të këtij angazhimi dhe një vlerësim për rolin e EasyPay në zhvillimin e shërbimeve financiare digjitale në Shqipëri dhe rajon. Si një nga platformat kryesore të pagesave elektronike në vend, EasyPay kontribuon në rritjen e përfshirjes financiare dhe modernizimin e shërbimeve për individë dhe biznese.
Konferenca mblodhi përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet europiane, investitorë ndërkombëtarë dhe drejtues biznesi, përfshirë Komisioneren Europiane për Zgjerim Marta Kos, Ministrin e Financave të Shqipërisë Petrit Malaj, si dhe institucione si European Bank for Reconstruction and Development dhe European Investment Fund.
Një nga mesazhet kryesore të forumit ishte se kompanitë europiane kanë potencial të rriten brenda Europës, ndërkohë që u theksua rëndësia e reformave për të mbështetur inovacionin dhe scaleups. Gjithashtu, një fokus i veçantë iu kushtua përfshirjes së Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, në ekonominë europiane dhe rëndësisë së këtij rajoni për kompanitë që kërkojne tregje të reja.
Për EasyPay, pjesëmarrja në këtë platformë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së prezencës ndërkombëtare, krijimit të partneriteteve strategjike dhe promovimit të potencialit të sektorit fintech shqiptar në Europë.
You may also like
November 12, 2025
October 17, 2025
August 4, 2025

