• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Dhoma Amerikane takohet me Zv. Ministren Manjani: Fokusi në fuqizimin e tregut të punës dhe trajnimi i fuqisë punëtore

Dhoma Amerikane takohet me Zv. Ministren Manjani: Fokusi në fuqizimin e tregut të punës dhe trajnimi i fuqisë punëtore

Blogu, Slaidet
22 January 2026
Gerta

Fuqizimi i tregut të punës me politika që nxisin punësimin sektorial dhe trajnimin e fuqisë punëtore kanë qenë në qendër të vëmendjes së takimit të Komitetit të Punës dhe Etikës në AmCham me zëvendësministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Znj.Olta Manjani. Takimi ka pasur për qëllim të vendosë prioritete të përbashkëta në tema si dialogu social, fuqia punëtore, arsimi profesional, procesi i integrimit dhe ndryshimet ligjore, ku Dhoma Amerikane ka shumë mundësi për të ofruar ekspertizë dhe ide konkrete.

Drejtuesit e Dhomës Amerikane, Sekretari i Bordit, Dritan Nako, dhe Drejtori Ekzekutiv, Neritan Mullaj, kanë orientuar diskutimin në një nga prioritetet madhore të Dhomës, që reflekton shqetësimin e anëtarëve mbi mungesën e fuqisë punëtore. Kjo çështje listohet e para në Indeksin e Biznesit të Dhomës në tre vitet e fundit, duke e kthyer në një çështje të mprehtë të klimës së biznesit në vend. Diskutimi ka ndihmuar në shkëmbimin e informacionit mbi mënyrën se si Ministria e Ekonomisë po e adreson këtë çështje përmes politikave dhe marrëveshjeve të punësimit.

Zhvillimi i arsimit profesional dhe angazhimi i biznesit në bordet drejtuese të shkollave dhe në hartimin e kurrikulave është një nga aksionet në të cilat Dhoma mund të ndihmojë për të orientuar, në planin afatgjatë, zhvillimin e fuqisë punëtore dhe diversifikimin e aftësive sipas sektorëve.

Integrimi evropian dhe njehësimi i kuadrit ligjor me atë të BE-së kanë targetuar edhe fushat e lëvizjes së punëtorëve dhe politikat sociale, duke kërkuar një angazhim të të gjitha grupeve të interesit. AmCham, përmes Komitetit të Punës të drejtuar nga Valbona Dode, ka shprehur gatishmërinë të marrë pjesë në këto tryeza konsultimi për të sjellë një vlerë të shtuar përmes mendimit praktik dhe eksperiencës së ekspertëve të saj.

Pjesë e legjislacionit që mbështet punësimin dhe forcat e punës është edhe Kodi i Punës dhe ndryshimet e pritshme për ta bërë atë koherent me zhvillimet e fundit. Dhoma Amerikane do të luajë rolin e saj duke përcjellë komente dhe rekomandime në fazat e hershme të hartimit të ndryshimeve.

You may also like