Dhoma Amerikane i ka ofruar anëtarëve të saj përmes Komitetit të Taksave, trajnimin mbi “Çështje të TVSH-së dhe rregullat e reja per Entitetet e Huaja të Kontrolluara” të drejtuar ngady lektorë të mirënjohur ndërkombëtarë, Giorgio Beretta, Asistent Profesor për tatimet indirekte në Universitetin e Amsterdamit dhe Claudio Cipollini, Asistent Profesor në Tatim & Teknologji në Universitetin e Amsterdamit (UvA).
“Kjo është një mundësi e mirë për të njohur nga afër zbatimin e legjislacionit në BE duke iu ardhur në ndihmë kompanive anëtare që bashkëpunojnë me homologë në tregun evropian” – tha gjatë përshëndetjes Drejtori Ekzekutiv, Neritan Mullaj.
Trajnimi është fokusuar në disa aspekte të zbatimit të TVSH-së dhe rregullat për Entitetet e Huaja të Kontrolluara të përfshira së fundmi në legjislacionin shqiptar duke ofruar njohuri në përputhje me praktikat më të mira të BE-së dhe interpretimin e dispozitave nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.
Ligji i TVSH-së dhe ndryshimet që ka pësuar së bashku me aktet udhëzuese ka qënë në qendër të vëmendjes së Komitetit të Taksave të drejtuar nga Alketa Uruçi e cila theksoi gjatë takimit rëndësinë e zbatimit në praktikë të ligjit sidomos kur vjen fjala për faturimin e shërbimeve për tatimpaguesit e regjistruar në vendet ku nuk zbatohet TVSH.
Dy ekspertët evropianë e kanë fokusuar prezantimin e tyre në detaje të zbatimit të ligjit në BE dhe që kanë lidhje me vendin e furnizimit të shërbimeve, kuptimi dhe zbatimi i rregullave për “nocionin e përdorimit apo shfrytëzimit efektiv” të shërbimeve si edhe mospërputhjet me Direktiven e BE dhe implikimet për bizneset.
Trajnimi ofroi njohuri praktike dhe rekomandime politikash, duke i ndihmuar bizneset të kuptonin kompleksitetin e TVSH-së dhe përputhshmërinë me praktikat më të mira të BE.
As. Prof. Giorgio Beretta
Giorgio Beretta është Asistent Profesor për Tatimet Indirekte në Universitetin e Amsterdamit (UvA) dhe anëtar i projektit kërkimor të Qendrës së Taksave të Amsterdamit (ACTL) për “Dizajnimin e sistemit tatimor për një shoqëri pa para fizike, të bazuar në platforma dhe të drejtuar nga teknologjia (CPT)”. Ai është gjithashtu koordinatori akademik i kurseve “TVSH/tatim mbi shitjet” dhe “TVSH – Avancuar” brenda programit të Masterit të Avancuar (LL.M.) per Tatimet Ndërkombëtare në UvA. Giorgio Beretta është gjithashtu një avokat tatimor në Itali dhe këshilltar në RCLex – një firmë ligjore me seli në La Spezia, Itali, si dhe anëtar i bordit editorial të revistave ndërkombëtare të taksave “Intertax” dhe “Highlights & Insights on European Taxation”.
Claudio Cipollini
Claudio Cipollini është Asistent Profesor në Tatime & Teknologji në Universitetin e Amsterdamit (UvA). Ai është një nga liderët e projektit kërkimor të Qendrës së Taksave të Amsterdamit (ACTL) për “Dizajnimin e sistemit tatimor për një shoqëri pa para fizike, të bazuar në platforma dhe të drejtuar nga teknologjia” (CPT).
Ai është lektor në kurset “Ligji i Tatimeve të BE-së” dhe “Gjykata e Simuluar për Tatimin Ndërkombëtar” brenda programit të “Masterit të Avancuar (LL.M.) për Tatimin Ndërkombëtar” të Shkollës së Ligjit në Amsterdam. Ai gjithashtu vepron si koordinator akademik dhe lektor i kursit veror të ACTL/CPT mbi “Blockchain, Pasuritë Digjitale, web3: Tatimi dhe Raportimi”, nisur në korrik 2023. Claudio Cipollini është gjithashtu një avokat tatimor i pranuar në Gjykatën e Lartë të Italisë dhe themeluesi i RCLex – një firmë ligjore me seli në La Spezia, Itali.