• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Dhoma Amerikane krijon Grupin e Punës për energjinë dhe infrastrukturat kritike

Dhoma Amerikane krijon Grupin e Punës për energjinë dhe infrastrukturat kritike

Blogu, Publikimet, Slaidet
1 April 2026
Gerta

Zhvillimet sektoriale të vrullshme në sektorin e energjisë dhe infrastrukturave kritike dhe interesi i anëtarëve të këtij sektori për të trajtuar çështje themelore, sollën natyrshëm krijimin e Grupit të Punës për energjinë dhe infrastrukturat kritike. Si iniciativë e anëtarit të Bordit, Pëllumb Kallaba, përfaqësues i një investimi të fuqishëm amerikan në sektorin e energjisë eolike, CWP, dhe e mbështetur edhe nga anëtarët e tjerë të Bordit, Grupi i Punës ka kristalizuar një strukturë të përbërë nga kompanitë elitë në këtë sektor. Këto kompani do t’i ofrojnë këtij grupimi ekspertizë të thelluar në çështjet rregullatore dhe ligjore, si dhe eksperiencë në zbatimin praktik.

Drejtori Ekzekutiv, Neritan Mullaj, theksoi se zhvillimet ekonomike e kanë kthyer energjinë dhe infrastrukturat kritike në një sektor prioritar, dhe Dhoma Amerikane, duke vlerësuar objektivisht këtë momentum, po i jep prioritetin e duhur këtij grupimi. Grupi i Punës do të funksionojë si një strukturë që do të sjellë, përmes punës së tij, ndikim në transparencën, qartësinë dhe efikasitetin e infrastrukturave ligjore dhe rregullatore të sektorit, duke mbështetur për rrjedhojë konkurrueshmërinë jo vetëm të bizneseve anëtare, por të gjithë sektorit në tregun evropian dhe atë rajonal.

Diskutimet në takimin e parë të punës ndihmuan në ndërtimin e një plani veprimi të qëllimeve që do të ketë ky grupim dhe rrugëve për t’i arritur ato. Shkëmbimi i ideve, i mbështetur në ekspertizën e pjesëmarrësve, ndihmoi për të ravijëzuar çështjet themelore mbi të cilat duhet të punojë ky grupim, i cili ka ambicien të zhvillohet në një Komitet të përhershëm.

“Energjia është çështja më kritike e botës sot, sepse për të zhvilluar projekte ambicioze të teknologjisë, AI apo zhvillime të tjera, botës i duhet energji, dhe kjo është një çështje që jo vetëm Amerika po përpiqet ta zgjidhë, por ka angazhuar gjithë botën”, – u shpreh Presidenti Grant Van Cleve.

Anëtarët e Grupit të Punës, në diskutimet e tyre, nxorën si themelore çështjet e legjislacionit që do të mbështesë punën e sektorit të energjisë, si dhe politikat rregullatore që influencojnë drejtpërdrejt punën në praktikë dhe që do të zënë një pjesë të rëndësishme të vëmendjes së këtij grupimi.

You may also like