Dhoma Amerikane feston me anëtarët një vit pune dhe arritjesh

Dhoma Amerikane feston me anëtarët një vit pune dhe arritjesh

Dhoma Amerikane ka mbledhur anëtarët e bashkëpunëtorët për të festuar një vit pune e arritjesh në shoqërinë edhe të partnerit të saj strategjik Ambasadës Amerikane. Tradita e festës së fund vitit, është një mundësi për t’u takuar dhe për të festuar me të gjithë ata që e bëjnë bashkëpunimin e organizatës të suksesshëm.
“Së bashku kemi punuar jo vetëm për të adresuar sfidat dhe shqetësimet që ju përballoni çdo ditë, por edhe për të sjellë ndryshime që kontribuojnë për të mirën e të gjithëve”- ka thënë gjatë përshëndetjes së tij z. Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i Dhomës Amerikane duke falenderuar të gjithë anëtarët që në proceset që kalon Dhoma nuk janë thjesht anëtarë, por edhe profesionistë të përkushtuar që kontribuojnë përmes ekspertizës së tyre.
Të ftuarit i ka përshëndetur edhe Presidenti i Dhomës Amerikane z.Grant Van Cleve duke vendosur theksin në marrëdhëniet e shkëlqyera Shqipëri – Amerikë të cilat e dallojnë Shqipërinë si vendin më pro amerikan në Rajon dhe reflektohet edhe në interesin gjithnjë e në rritje të investimeve amerikane në Shqipëri.
“Ne ndihemi të entuziazmuar ndërsa hyjmë në 2025 duke forcuar gjithnjë e më shumë marrëdhënien mes vendeve tona që reflektohet dhe në rritjen e interesit të investitorëve amerikanë dhe njëkohësisht përgatitemi për të festuar të gjithë bashkë 25 vjetorin e organizatës “- tha Presidenti Grant Van Cleve.
Një përshëndetje miqësore dhe një falenderim të veçantë për anëtarët e Dhomës ka patur edhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, znj. Nancy VanHorn e cila ka theksuar faktin se jo vetëm Shqipëria është vendi më pro Amerikan por dhe Amerika është vendi më pro Shqiptar dhe 2025 do të jetë një vit i jashtëzakonshëm për të dy vendet dhe në mënyrë të veçantë për Dhomën Amerikane që përgatitet të festojë 25 vjetorin. Znj. VanHorn ka vlerësuar punën e madhe që bën organizata jo thjesht në ndihmë të anëtarëve të saj por për zhvillimin dhe prosperitetin e të gjithë vendit.
Atmosfera e ngrohtë në shoqërinë e tingujve muzikore të bandës së Artur Dhamo dhe Altin Goci si dhe të një menuje të zgjedhur ka ndihmuar për të zhvilluar një network mes anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve.