Presidenti Begaj dhe E ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane vlerësojnë rolin e AmCham Albania
25-vjetori i themelimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë ka shënuar një event kulminant me Mbrëmjen Gala që nderoi themeluesit, një rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe ndikues të organizatës në zhvillimet ekonomike mes dy vendeve.
Dhoma Amerikane është nderuar në këtë festë nga Presidenti i Republikës z. Bajram Begaj dhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane znj. Nancy VanHorn, të cilët në fjalët e tyre përshëndetëse kanë theksuar kontributin e Dhomës Amerikane në proceset rregullatore në shërbim të biznesit dhe rolin e rëndësishëm ndërmjetësues mes biznesit amerikan dhe atij shqiptar.
“Dhoma Amerikane është bërë një nga zërat më të besueshëm dhe të respektueshëm në vend dhe mbetet një faktor kyç në forcimin e zërit të komunitetit të biznesit” – vlerësoi znj. VanHorn rolin e AmCham, duke përmendur fakte konkrete të përmirësimeve ligjore dhe rregullatore që kanë ardhur si rezultat i punës dhe ekspertizës së organizatës.
Të njëjtin vlerësim ka shprehur edhe Presidenti Bajram Begaj kur tha se “AmCham jep një kontribut të çmuar dhe është një zë i fortë i biznesit dhe ndërmjetësuesi më i mirë mes bizneseve amerikane dhe shqiptare”.
Gjithçka filloi me një ide të fortë që bashkoi 44 liderë biznesi në iniciativën e Atasheut Ekonomik të Ambasadës Amerikane z. Charles Levesque, për të sjellë në vend një brend të jashtëzakonshëm, Dhomën Amerikane të Tregtisë, e cila sot pas 25 vjetësh është një komunitet vibrant i 276 bizneseve.
“Dhoma Amerikane kishte një objektiv të qartë të ndërtonte një urë të qëndrueshme bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe të krijonte një klimë besimi e transparence duke ndërtuar konceptin amerikan të të bërit biznes” – tha gjatë fjalës së tij përshëndetëse Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane Neritan Mullaj.
Presidenti i Dhomës Amerikane Grant Van Cleve ka theksuar se era e ndryshimeve politike dhe sfidat ekonomike po e orientojnë botën drejt kohëve më të mira dhe SHBA do të ketë një rol udhëheqës. “Dhoma Amerikane ka një rol të rëndësishëm në procesin e zhvillimit të kësaj marrëdhënie Shqipëri – Amerikë sepse ashtu sikurse thuhet në dy himnet tona në tokën e lirive dhe të njerëzve të guximshëm ne stimulojmë shpirtin novator të sipërmarrësve dhe i udhëheqim ata” – tha Presidenti i AmCham Grant Van Cleve.
Të dy drejtuesit e Dhomës kanë shprehur vizionin novator të organizatës për të orientuar përmes një brezi të ri elitë zhvillime teknologjike dhe digjitale që po përfshijnë biznesin. Pjesë e këtij vizioni është dhe çmimi “Sipërmarrësi Inovator i Vitit”, i cili do t’i jepet çdo vit më të mirit mes sipërmarrësve inovatorë, informoi gjatë eventit Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj.
E ndërsa vizioni i së ardhmes është i qartë, momenti reflektiv i 25-vjetorit ka shërbyer për të nderuar ato kompani të para që kanë ecur përkrah organizatës dhe kanë bërë histori bashkë me të. Dhoma Amerikane i ka dhënë çmimin “25 vjet Anëtar i Dhomës Amerikane” 23 kompanive besnike të organizatës.
Dhoma ka nderuar edhe ata anëtarë dhe drejtues që nuk janë më mes nesh por kujtohen për protagonizmin e tyre. Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj ka nderuar kujtimin e Ambasadorit Amerikan Joseph Limprecht, Presidentit të AmCham Jeffrey Griffing dhe në mënyrë të veçantë sipërmarrësit Dritan Mezini.
“Dhoma Amerikane do të kujtojë me respekt këtë figurë novatore që udhëhoqi me veprimet e tij ndryshimet e vrullshme teknologjike dhe e bëri biznesin t’i përqafonte këto risi. Personalisht ndjej një detyrim të madh të nderoj këtë mik e koleg me të cilin kemi ndarë ide e vizione, disa prej të cilave i kemi bërë realitet” – tha z. Mullaj.
Dhoma Amerikane ka falenderuar sponsorët e eventit që e bënë të mundur me bujarinë e tyre organizimin e një eventi madhështor.

























































