Dhoma Amerikane ka festuar Ditën e Pavarësisë së Amerikës me një festë madhështore ku komuniteti shqiptar dhe amerikan u bashkuan për të celebruar një datë që personifikon demokracinë dhe lirinë e një populli të madh dhe mbledh bashkë shumë shqiptarë dhe amerikanë.
”Në AmCham prej 25 vitesh, kemi ndërtuar traditën e festës së përbashkët si një shprehje e gjallë e lidhjes së fortë që ekziston mes dy popujve tanë. Kjo është mënyra jonë për të ndërtuar ura të miqësisë dhe bashkëpunimit që zgjasin përtej ditës së sotme”- tha Drejtori Ekzekutiv, Neritan Mullaj gjatë fjalës së tij.
Zëvëndës Ambasadorja në Detyrë e Ambasadës Amerikane, Znj.Kathryn Hammond, falenderoi AmCham për lidershipin e tij dhe theksoi mbështetjen që Ambasada i jep Dhomës Amerikane në punën e saj për të zhvilluar një ambjent konkurrues dhe me integritet për biznesin. Gjatë ceremonisë znj.Hammond falenderoi për koordinimin në bashkëpunimin mes dy institucioneve Atasheut Ekonomik të Ambasadës Michael Ball i cili është në përfundim të mandatit të tij në Shqipëri.
Takimi është përshëndetur edhe nga Presidenti i Dhomës Amerikane z. Grant Van Cleve: ”Dhoma Amerikane është në vitin jubile të 25 vjetorit ndërkohë që vitin që vjen Amerika do të festojë 250 vjetorin e saj. Dhoma përgatitet të festojë me madhështi këto evente ndërkohë që po rrit influencën e saj jo vetëm me institucionet shqiptare por dhe në bashkëpunimin me Ambasadën Amerikane dhe institucionet në Washington për të sjellë delegacione këtu në Shqipëri” – u shpreh gjatë fjalës së tij përshëndetëse Presidenti i AmCham Albania, Grant Van Cleve
Të gjithë elementët e kësaj feste – nga ushqimi tipik amerikan, tek argëtimi për fëmijët, muzika dhe fishekzjarret –përfaqësojnë simbolika që e lidhin Shqipërinë me një komb mik dhe me vlerat që ai përfaqëson.
Dhoma Amerikane ka falenderuar në mënyrë të vecantë sponsorat e eventit të cilët e bënë të mundur një organizim të tillë.