Dhoma Amerikane dhe Zyra e Komisionerit për Informim bashkëpunojnë për ndërgjegjësimin e biznesit.

Dhoma Amerikane dhe Zyra e Komisionerit për Informim bashkëpunojnë për ndërgjegjësimin e biznesit.

“Ka një interes të madh tek anëtarët tanë për ndryshimet kryesore që sjell legjislacioni i ri evropian për mbrojtjen e të dhënave  dhe rekomandime konkrete se si bizneset duhet ta zbatojnë këtë ligj. Kjo është e kuptueshme sepse tashmë ata do të jenë subjekt i ligjit dhe që ta zbatojnë mirë duhet ta njohin”- u shpreh gjatë përshëndetjes së tij Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania Neritan Mullaj.

“Ligji i ri i siguron mbrojtje më të mirë për subjektet e të dhënave dhe gjithashtu përcakton më qartë të drejtat dhe detyrimet e çdo kontrolluesi dhe përpunuesi. Ligji zgjeron të drejtat e individëve mbi të dhënat e tyre, duke përfshirë të drejtën për akses dhe përmirësim të të dhënave; të drejtën për të mos iu nënshtruar vendimeve automatike; si edhe të drejtën për t’u harruar, që detyron bizneset dhe platformat online të fshijnë të dhëna që nuk janë më të nevojshme për qëllimin për të cilin janë mbledhur”- tha z. Besnik Dervishi gjatë fjalës së tij.

Pikërisht ky ishte dhe qëllimi i takimit, për ti orientuar bizneset për sfidat e kësaj fazë të re, që ka të bëjë me zbatimin e plotë të ligjit. “Ligji i ri 124/2024, sjell një sërë risish thelbësore në mbrojtjen e të dhënave personale të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi bizneset dhe i detyron të gjitha subjektet të rishikojnë dhe përditësojnë praktikat e përpunimit të të dhënave duke përfshirë dhe politika të reja të privatësisë në mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave personale”- tha Albana Karapanço gjatë moderimit të Forumit.  

“Ligji i ri kërkon nga bizneset të caktojnë një Nënpunës për Mbrojtjen e të Dhënave (DPO), i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e përputhshmërisë me ligjin dhe për t’u siguruar që masat e duhura janë zbatuar dhe Zyra e Komisionerit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, do të ofrojnë trajnime dhe module për DPO-të për të ndihmuar në zbatimin e këtyre detyrimeve” – tha Besa Velaj, Drejtore Kabineti në Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit

Një këndvështrim më praktik mbi zbatimin e ligjit dhe eksperiencat që kanë patur vëndet e BE-së gjatë aplikimit të tij ka sjellë z. Dhimitër Shuli . “Bizneset, duhet të forcojnë masat për të mbrojtur të dhënat personale kundër aksesit të paautorizuar apo keqpërdorimit pasi kjo shoqërohet edhe me gjoba të rënda në BE” – u shpreh z.Shuli. Në këtë këndvështrim bizneset duhet të zbatojnë protokolle të reja të enkriptimit, auditimeve të rregullta dhe trajnimeve  të punonjësve për të qënë në akordancë me ligjin. Zyra e Komisionerit për Informim, ka këmbëngulur në filozofinë se edhe pse ligji parashikon gjoba të forta nuk është qëllimi të gjobiten bizneset por ti vendosin ata në pozita të zbatimit rigoroz të ligjit.