Dhoma Amerikane në bashkëpunim me Revistën Monitor kanë organizuar Konferencën ekonomike me forcat politike duke qëndërzuar diskutimin në çështjet ekonomike që kanë nevojë të adresohen për të orientuar zhvillimin ekonomik.
Pjesë e konferencës e moderuar nga Kryeredaktorja e Revistës Monitor Ornela Liperi, janë bërë forcat kryesore politike nga Partia Demokratike, Partia Mundësia, Koalicioni Djathtas për Zhvillim, Koalicioni Euroatlantik dhe Lëvizja Bashkë,
Në konferencë kanë munguar përfaqësuesit e Partisë Socialiste të cilët kanë anulluar pjesëmarrjen në momentin e fundit. “Ky është një diskutim ekonomik që ne e nxisim si një komunitet biznesi që kontribon në 20 për qind të PBB dhe ka nevojë të zhvillojë një dialog me forcat politike çfarë e bën të rëndësishme prezencën e tyre“– u shpreh në fjalën e tij Presidenti i Dhomës Amerikane z. Grant Van Cleve duke shpjeguar se Dhoma Amerikane nuk ka preferencë politike por i qëndron objektivit të saj për të zhvilluar një klimë optimale për biznesin lokal dhe investitorët e huaj.
Dhoma Amerikane orientoi diskutimin ekonomik me të gjithë përfaqësuesit politik mbështetur në Prioritetet e saj Strategjike të cilat janë hartuar nëpërmjet një procesi të thelluar konsultimi me ekspertët e komiteteve të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe të mbështetura në praktikat më të mira ndërkombëtare.
“Ky raport ofron zgjidhje konkrete dhe me vizion afatgjatë, të strukturuara në shtatë shtylla themelore të reformës: nga përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i luftës kundër korrupsionit, te modernizimi i politikave fiskale, zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe ndërtimi i një industrie turistike të qëndrueshme dhe me vlerë të shtuar. Vëmendje e veçantë i është kushtuar përforcimit të mekanizmave të konsultimit publik si dhe përmirësimit të sistemit shëndetësor – komponentë kyç për një shoqëri të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse” tha Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj gjatë prezantimit të prioriteteve.
Pikërisht mbi këto çështje themelore janë orientuar edhe pyetjet drejtuar përfaqësuesve të partive politike duke nxitur një diskutim për mënyrën se si ata mendojnë ti zgjidhin përmes programeve të tyre.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike Dorjan Teliti, Jorida Tabaku dhe Florjon Mima, u përqëndruan në rolin që luan një legjislacion fiskal efikas dhe aplikimi i taksës së sheshtë që jo vetëm rrit konkurrueshmërinë por edhe ul evazionin fiskal. Pjesë e incentivave fiskale që stimulojnë zhvillimin e biznesit por që i vijnë në ndihmë edhe individit do të jenë ulja e taksës së kalimit të pronës në 2 për qind dhe rritja e pragut të tatueshëm për biznesin e vogël.
Pjesë e diskutimit me Dhomën Amerikane dhe Revistën Monitor janë bërë edhe Agron Shehaj nga Partia Mundësia i cili solli eksperiencën personale si sipërmarrës dhe vizionin e tij si politikan në mundësitë që i duhen ofruar biznesit.
Lëvizja Bashkë e përfaqësuar nga Jani Marka solli këndvështrimin e vet për bashkëpunimin me biznesin duke i ofruar mundësi brenda një kuadri të drejtë ligjor. Ai vlerësoi rolin e sektorëve prioritar si turizmi dhe vëmendjen e shtuar që duhet të ketë për këtë sektor.
Mateo Spaho nga Koalicioni Euroatlantik e fokusoi fjalën e tij në programin që vendos në qëndër të vëmendjes familjen dhe individin si baza e shoqërisë dhe kontributorët kryesorë në zhvillimet ekonomike duke shpjeguar lehtësitë fiskale dhe lehtësitë që do të ndërmarrin për ta.
Koalicioni Djathtas i përfaqësuar nga Artan Murrizi shpjegoi se një taksë e sheshtë do të ishte një mbështetje e mirë për biznesin dhe ekonominë sidomos në sektorin e bujqësisë që ka nevojë urgjente për kreditim dhe subvencionime në mënyrë që të bëhet një mbështetëse e zhvillimit ekonomik të vendit.