Dhoma Amerikane e Tregtisë organizoi Asamblenë e Përgjithshme 2022 me pjesëmarrjen e lartë të anëtarëve të saj të cilët morën pjesë në votimin e pozicioneve vakante për Bord por dhe në analizën një vjeçare të punës që bën organizata.
Mbledhja e Përgjithshme e Asamblesë 2022 nuk është vetëm një moment votimi por mbi të gjitha një moment i reflektimit dhe analizës së punës, si dhe i projeksioneve për të ardhmen. Mbledhja zhvillohet në kohën kur ekonomia shqiptare ashtu sikurse ekonomia e gjithë botës po përballet me sfida të jashtëzakonshme të cilat kërkojnë edhe masa të jashtëzakonshme. Kjo u evidentua në fjalët e të ftuarve si Ambasadorja Yuri Kim, Guvernatori Sejko dhe zv. Ministrja e Financave Manjani.
Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço foli në Asamblenë e Përgjithshme të AmCham për situatën në të cilën ndodhen bizneset sot. Z.Jaço tha se bizneset e AmCham po përballojnë me përpjekje madhore presionet globale, të cilat rëndojnë edhe më shumë ekonominë e brishtë, largimin e fuqisë punëtore dhe zvogëlimin e forcës konsumatore.
Duke folur për zhvillimet vjetore, Drejtori Ekzekutiv i Dhomës z.Neritan Mullaj, vlerësoi rolin që po luan Dhoma Amerikane në zhvillimet rajonale, dhe punën e madhe që po bëhet me partnerin e saj, Ambasadën Amerikane për të nxitur marrëdhëniet ekonomike dhe prezencën e investimeve amerikane në vend.
Sfidat ekonomike kanë qënë dhe në fjalët e z. Sejko dhe znj.Manani të cilët në pozicionet e drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme financiare kanë folur për planet e tyre të punës për të luftuar inflacionin dhe për të siguruar rritjen ekonomike por dhe sigurinë për bizneset dhe familjet shqiptare.
Duke folur për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve Ambasadorja Yuri Kim ka thënë se po punohet shumë për të forcuar bashkëpunimin shqiptaro-amerikan veçanërisht në fushën e biznesit dhe për këtë kërkohet një mjedis biznesi i hapur, transparent dhe konkurrues.
Mbledhja e Përgjithshme e Asamblesë shërbeu për të votuar për tre pozicione vakante të zv. Presidentit, Thesarit dhe një Anëtari Bordi për të cilët konkurruan shtatë kandidatë. Në përfundim të procesit u zgjodhën znj. Edlira Muka nga Balfin Group si zv. Presidente e Bordit, znj. Juela Isaj nga DDB/Tribal WWW Përgjegjëse për Thesarin dhe z. Kledi Kodra nga Grant Thornton në pozicionin e Anëtarit të Bordit.